Doracaku i edukatës seksuale, reagon ish-ministri Bajrami
A.B / RTKlive
Ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka reaguar pasi iu përmend emri nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në çështjen e hartimit të doracakut të edukatës seksuale.
Ai u shpreh se institucionet e shtetit duhet të jenë të hapura për reflektim dhe përmirësim kur gabojnë.
“Dëshiroj të sqaroj se në shkurt 2016, kur unë isha në udhëheqje të MASHTI-t, është paraqitur kërkesa tek UNFPA (Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë) për mbështetje në hartimin e doracakëve për mësimdhënës. Për këtë, shpreh mirënjohjen time ndaj UNFPA-së për gatishmërinë e tyre për të ofruar ndihmë duke qenë një agjenci e Kombeve të Bashkuara që punon për të përmirësuar çështjet që lidhen me popullsinë dhe zhvillimin”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
“Gjithsesi, hartimi dhe miratimi i përmbajtjes së doracakëve nga njësitë përkatëse të MASHTI-t nuk ka ndodhur gjatë periudhës kur unë isha në udhëheqje të ministrisë”, tha ai.
Sipas tij, gabime në tekste shkollore, planprograme dhe doracakë kanë ndodhur, përfshirë periudhën air ka shërbyer, ndodhin dhe do të ndodhin edhe në të ardhmen.
"Ajo që është më e rëndësishme, është që institucionet shtetërore përkatëse të jenë të hapura dhe të tregojnë gjithmonë gatishmëri për reflektim dhe përmirësim", tha Bajrami.























