Përfundon dëshminë Nezir Çoçaj
BKT
Gjykata Speciale

Përfundon dëshminë Nezir Çoçaj

V.Th. / RTKlive

(E plotësuar 17:30) Dëshmitari Nezir Çoçaj, i cili ishte i 104-ti me radhë në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka përfunduar dëshminë në Hagë.

Në pyetjet nga trupi gjykues, Çoçaj u ballafaqua me disa deklarata të Ferat Shalës, të cilat thuhet se ishin dhënë për Shërbimin e Informativ të Kosovës (SHIK) dhe Kadri Veselin.

Ai tutje është pyetur për detyrën e tij për mbledhjen e informacioneve.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Fergal Gaynor, dëshmitari tha se në detyrën e tij për mbledhjen e informacioneve, nuk ka intervistuar as zyrtarë e as civilë.  Ai tha se nuk e ka pasur informacionin se rojet e pyjeve jepnin informata për UÇK-në tek autoritetet serbe.

Çoçaj deklaroi se nuk ka pasur mundësi që Halil Çadraku të tejkalojë hierarkinë dhe të raportojë drejtpërdrejt tek Shtabi i Përgjithshëm.

“Nuk ka qenë e mundur me tejkalu komandantin e zonës, është dashtë me marrë leje nga komandanti i zonës për të shkuar diku, është dashtë me marrë arsyetim se pse po shkon. Hierarkia ka qenë, Komandati i zonës gjegjësisht nivelit më poshtë tij, zëvendësi dhe shefi i shtabit jo dikush tjetër”, është përgjigjur Çoçaj.

Dëshmitari më pas u pyet se për çfarë arsye kishte postblloqe të UÇK-së në pikën kufitare në Morinë pas çlirimit të Kosovës.

“Unë nuk kam parë dhe nuk kam dëgjuar që pas çlirimit të Kosovës ka pas postblloqe nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, sidomos kur ka pas kompetencë KFOR-i gjerman”, u përgjigj dëshmitari.

Nezir Çoçaj nis dëshminë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së|Video

Sh.Ç/RTKlive

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari Nezir Çoçaj, i cili ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonës së Pashtrikut. Çoçaj është deshmitari i 104-ti me radhë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit  dhe Rexhep Selimit.

Dëshmitar ka qenë me masa mbrojtëse, por që këto masa i janë hequr, dhe është duke u marrë në pyetje nga përfaqësuesja e ZPS-së, prokurorja,  Vega Iodice.

Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurorja Iodice, dëshmitari do të tregojë se si pjesëtar i UÇK-së çfarë ka parë dhe vërejtur në ndërtesën e MUP-it në Prizren gjatë qershorit të 1999-ës.

“Dëshmitari 04679 është shqiptar i Kosovës që u kyç në UÇK në periudhën mars-prill 1998. Gjatë kësaj periudhë me UÇK-në ai ndihmoi për organizimin e UÇK-së në territorin e tij dhe me vonë u kyç në Zonën Operative të Pashtrikut. Dëshmitari jep dëshmi lidhur me strukturën dhe organizimin e UÇK-së duke përfshirë edhe Zonën e Pashtrikut, komunikimet që ka pasur me anëtaret e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe çfarë ka parë ai me sy të tij dhe çfarë ka vërejtur ai në ish-ndërtesën e MUP-it në Prizren në qershor të 1999-ës”, ka theksuar prokurorja Iodice.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, dëshmia e Çoçajt pritet të zgjasë rreth një ditë. Sipas tij, Prokuroria ka parashtruar se i duhen rreth një orë dhe ekipeve të mbrojtjes rreth katër orë për kundërpyetjet e tyre.

Dëshmitari Nezir Çoçaj gjatë dëshmisë së tij në Hagë ka thënë se i është kërkuar nga Ferat Shala që të inkuadrohet në Shërbimin Informativ të Kosovës (ShIK), e që sipas tij drejtor i saj ka qenë Kadri Veseli.

Çoçaj ka thënë se nuk e din arsyen se pse iu kërkua një gjë e tillë, por që sipas tij,  Shala i kishte thënë se janë të interesuar që të themelojnë këtë organizatë dhe që duhet të gjejnë njerëz.

Sipas dëshmitarit Çoçaj, Ferat Shala ka qenë pjesëtar i UÇK-së dhe ka vepruar në Zonën Operative të Drenicë. Sipas tij, Shala ka pasur nofkën “Pëllumbi” gjatë kohës së luftës.

Mbrojtja e Thaçit, përmes avokates, Nina Tavakoli ka theksuar se nuk pret që të këtë pyetje për këtë dëshmitar e ngjashëm edhe ai i Rexhep Selimit, Eric Tully.  Ndërsa, mbrojtja e Krasniqit ka thënë se i duhen më pak se sa që ka parashikuar.

Në prova materiale u pranuan deklarata e më hershme e dëshmitarit, si dhe shënimi përgatitor së bashku me materialet shoqëruese si dhe u klasifikuan si konfidenciale.


MË SHUME NGA Gjykata Speciale