Vdes qytetari që u aksidentua në Prishtinë, arrestohet zyrtari policor
BKT
Lajme

Vdes qytetari që u aksidentua në Prishtinë, arrestohet zyrtari policor

E. Hoti / RTKlive

Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar sot një zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” në një aksident trafiku me veturë zyrtare.

Aksidenti raportohet të ketë ndodhur më 05.11.2024 rreth orës 05:00 në kryqëzimin e rrugëve “Dëshmorët e Kombit” dhe “Henri Dunant” në Prishtinë.

Sipas njoftimit të IPK-së, në këtë aksident ishin përfshirë dy vetura,  një veturë zyrtare e Policisë së Kosovës e modelit Skoda Octavia dhe një veturë private e modelit Skoda Karoq të cilën ka qenë duke e drejtuar një qytetar i Vushtrrisë.

“Si pasojë e këtij aksidenti dyshohet se lëndime të rënda trupore kishte pësuar vozitësi i veturës Skoda Karoq, i cili ishte dërguar për tretman mjekësor në QKUK – Prishtinë.

Zyrtari policor i cili ishte duke drejtuar veturën zyrtare është suspenduar me rekomandim të IPK-së ditën e aksidentit”, thuhet në njoftim.

Dje në orët e pasdites IPK është njoftuar nga Policia e Kosovës se qytetari i lënduar si pasojë e këtij aksidenti fatkeqësisht ka ndërruar jetë kurse trupi i pa jetë i të ndjerit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë.

Tutje theksohet se sipas udhëzimeve të Prokurorit të Shtetit,  sot nga IPK është arrestuar zyrtari policor më dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” dhe të njëjtit me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.


MË SHUME NGA Lajme