Ujkani: Mbledhja Kosovë-Maqedoni e Veriut rritë besueshmërinë e dy vendeve
BKT
Lajme

Ujkani: Mbledhja Kosovë-Maqedoni e Veriut rritë besueshmërinë e dy vendeve

E. Hoti / RTKlive

Drejtori Ekzekutiv nga Këshilli i Investitorëve Evropian, Emrush Ujkani, konsideron se mbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut është e mirëseardhur pasi rritë besueshmërinë e dy vendeve dhe mundëson një klimë më të mirë të të bërit biznes. 

Sipas tij, shumica e këtyre marrëveshjeve janë të karakterit ndërkufitar dhe duke qenë se ka një mirëkuptim të dyanshëm do të jetë më e lehtë të zbatohen.

"Çdo bashkëpunim i vendeve të rajonit është i mirëseardhur, pa përjashtuar edhe sektorin privat.Me fqinjët tanë kemi raporte të mira me përjashtim të njërit. Është një iniciativë e mirë dhe duhet të vazhdojë edhe me Shqipërinë dhe Malin e Zi”, tha ai në emisionin "Info Plus" në RTK.

Ujkani foli edhe për masat e Bashkimi Evropian ndaj Kosovës. Ai tha se pret që gjatë dhjetorit të hiqen këto masa.

“Është e pakuptimtë që Kosova të penalizohet në një kategori e instrumenteve financiare dhe të kushtëzohet me masa. Masat të cilat janë vendosur nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës kanë edhe mungesën e bazës adekuate ligjore. Është bërë një lloj trafikimi brenda vendimmarrjes së Bashkimit Evropian. Është e pakuptimtë dhe nuk ka mandat as zoti Lajçak dhe as Zyra e zotit Borrell për të ardhur në konstatime të tilla”, tha Ujkani .

Ai theksoi se gjatë takimeve në Bruksel kanë ngritur këto shqetësime.“Nuk ka qenë qëllimi të përçojmë mesazh politik atje.Ka qenë e rëndësishme që vendet anëtare të e BE-së të marrin një mesazh ndryshe që vjen nga sektori privat, respektivisht nga investitorët. Për ne ka qenë i rëndësishëm takimi me vendin që udhëheq me presidencën e BE-së. Mund të them se ka qenë takimi më i rëndësishëm gjatë vizitës sonë dhe shpresoj që shteti hungarez i cili udhëheq me BE-në tashmë do të reflektojë në një frymë më ndryshe në samitin e radhës të Bashkimit Evropian”, tha ai.

Tutje, Ujkani tha se beson se është e pabarabartë një qasje e tillë e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.“Kosova në raport me të gjitha vendet e rajonit ka besueshmërinë më të madhe në agjendën evropiane, prandaj këto dy gjëra nuk shkojnë bashkë”, nënvizoi Ujkani.


MË SHUME NGA Lajme