Arifi: Presidentja Osmani do duhej t`i kthente të gjitha ligjet në Kuvend
V.Thaçi / RTKlive
Për zhvillimet në vend, çështjen e kthimit të ligjeve nga presidentja e vendit Vjosa Osmani, kallëzimet penale ndaj ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, e çështje të tjera, është diskutuar në RTK me analistin Avni Arifi ish-ambasador.
Për parafushatën zgjedhore Arifi tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po e shfrytëzon tërë infrastrukturën shtetërore, Ambasadën, Ministrinë e Jashtme. Sipas tij, Kurti po shkon në tubime me mërgimtarët pa flamur të shtetit të Kosovës dhe, sipas tij, po i kritikon partitë opozitare që nga momenti që është caktuar data e zgjedhjeve.
“Kryeministri Kurti ka shkuar me i taku mërgimtarët dhe krejt të dhënat që i ka përdorur janë të pasakta, ka krijuar pasqyrë të rrejshme të Kosovës. Madje e ka përdorur edhe 'Marrëveshjen për Energji' që e ka bërë Thaçi në 2013 dhe që është shtyrë deri tash, këtë e interpreton si suksesin më të madh të tij, që nga Kosova e pas luftës”, ka thënë Arifi.
Sa i përket kthimit në publik të çështjes së Asociacionit, Arifi tha se të gjitha marrëveshjet do të kthehen, por me kthimin e çështjes së Asociacionit, sipas tij, Kurti pretendon që të fitojë vota.
Kurse sa i përket dialogut, Arifi tha se nuk do të ketë asgjë deri në themelimin e institucioneve të reja të Kosovës, pas zgjedhjeve.
Ai foli edhe për kthimin e 'Ligjit për Siguri Kombëtare' nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tek Kuvendi, ku tha se është hera e parë që presidentja e ka vlerësuar si duhet një ligj. Sipas tij, është dashur që të gjitha ligjet të vlerësohen kështu.
“Është dashtë që mos të shkonin fare ligjet në Gjykatë Kushtetuese, por presidentja t’i kthente”, tha Arifi.
Kurse sa i përket debateve, kohëve të fundit, për dyshimet e një afere të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, dhe deputetes Fitore Pacolli, Arifi tha se "reagimi i ministrit ishte skandaloz”.
Arifi ka folur edhe për situatën e shqiptarëve në Maqedonin Veriore, ku tha se atje po ndodh një përmbytje e fuqisë politike të faktorit shqiptar dhe, sipas tij, një nga fajtorët për shfuqizimin apo dobësimin e faktorit politik shqiptar në Republikën e Maqedonisë është kryeministri Kurti.
Ai theksoi se qeveria e mëparshme LSDM-BDI e kanë aprovuar në mbledhje të qeverisë projektin e tunelit Tetovë-Prizren, por shtoi ai, në qeverinë e re maqedonase kjo çështje as nuk është temë diskutimi.
“Kam pritë që do të jetë temë, por maqedonët nuk e hapin tunelin, ne kot i bëjmë këto punë, në anën tonë të kufirit”, tha Arifi në emisionin “Info Plus” në RTK.
Arifi shtoi se deklarata e kryeministrit Kurti për gjuhën shqipe në Maqedoni të Veriut, i ka legjitimuar veprimet e qeverisë maqedone që janë duke e sulmuar gjuhën shqipeqë nga ardhja në pushtet.
“Përveç kësaj ka filluar në mënyrë sistematike largimi i shqiptarëve nga pozitat në ndërmarrjet publike, në institucione shtetërore, skajimi i tyre, defaktorizimi”, tha ai.
Arifi tutje tha se ka pritur që Qeveria e Kosovës të ngre shqetësimet për defaktorizimin total të politikës shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Sipas tij, gjuha shqipe nuk do të hyjë në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, duke theksuar se është një ndryshim i tërësishëm në politikën e atjeshme.
“Janë kthyer sentimentet anti-shqiptare, ka njerëz që janë të lidhur drejtpërdrejtë më qeverinë ruse, që është zëvendës kryeministri i qeverisë maqedone", është shprehur ish-ambasadori Arifi.
Megjithatë ai tha Republika e Maqedonisë është një partner shumë i rëndësishëm për Kosovën, "ka qenë partner që nga paslufta, sidomos pas marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001, e ka ndihmuar Kosovën në të gjitha proceset e anëtarësimit, e ka njohur shtetin e Kosovës" tha Arifi duke shtuar se "raportet ndëretnike, sot për sot, po shkojnë drejt përkeqësimit".























