Në Hagë vazhdoi dëshminë dëshmitari i mbrojtur
D. Sherifi / RTK
Me identitet të mbrojtur, në Dhomat e Specializuara në Hagë të mërkurën është paraqitur përmes videolidhjes dëshmitari i radhës në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas përmbledhjes së prokurorisë, dëshmitari është keqtrajtuar gjatë luftës, nga siç thotë ai, pjesëtarë të UÇK-së.
“Në vitin 1999, dëshmitari 00344 u rrëmbye nga pjesëtarë të armatosur të UÇK-së përpara shtëpisë së tij dhe u dërgua me makinë së bashku me një tjetër person në një vendndalim të UÇK-së. Dëshmitari 00344 është mbajtur në atë vend me disa të ndaluar të tjerë. Gjatë ndalimit të tij, ai është rrahur në mënyrë të vazhdueshme dhe ka dëgjuar që edhe të ndaluar të tjerë janë keqtrajtuar në shumë raste”, tha prokurori Cezary Mihailzcuk.
Në përgjigjet e prokurorisë, dëshmitari tha se askush nuk ia kishte sqaruar se përse ishte ndaluar atë kohë.
“Thjeshtë me kanë akuzuar që kam vrarë disa shqiptarë, por ajo s’kishte kuptim fare se ishte thjeshtë një arsye, një justifikim për rrëmbimin tim”, tha dëshmitari.
Pjesa tjetër e dëshmisë së tij kaloi në seancë private dhe përmbajtje të redaktuar. Seanca ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit vazhdon të enjten.
Sipas përmbledhjes së prokurorisë, dëshmitari është keqtrajtuar gjatë luftës, nga siç thotë ai, pjesëtarë të UÇK-së.























