Osmani me propozim për deputetët: Rriteni sot buxhetin e Ushtrisë
V.S|RTKlive
(E plotësuar) Komandantja supreme e FSK-së, presidentja Vjosa Osmani gjatë fjalimit vjetor para deputetëve tha se një FSK e fuqizuar,është një Kosovë e fuqishme.
“Përderisa ushtria jonë çdo ditë po furnizohet ne armatim modern, një prej investimeve më të rëndësishme të këtyre viteve të fundit dhe po forcon kapacitetet për mbrojtje të vendit nga çdo rrezik, nuk duhet të harrojmë se kapaciteti e pasuria jonë më e madhe që ka Kosova e rrjedhimisht edhe ushtria jonë, janë pikërisht njerëzit brenda saj. Prandaj mirëqenia ekonomike e sociale e ushtarakëve tanë duhet të shndërrohen në prioritet”, tha Osmani.
E para e shtetit tha se armatimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për fuqizimin e Kosovës, por sipas saj, ai ka kuptim kur prapa armës qëndron ushtaraku i motivuar dhe i mbështetur e këtu ajo pati porosi për ligjvënësit që sot do ta shqyrtojnë Buxhetin e Republikës në lexim të dytë.
“Hapin e parë mund ta bëni qysh sot. Praktika u lejon që nëpërmjet procedurës së shmangies të paraqitni amendamente edhe në seancë. Shfrytëzojeni këtë mundësi që t’i propozohet buxhetit të FSK-së t’i shtohet shuma e duhur në mënyrë që ushtarakët tanë të kenë shtesat e rrezikshmërisë,ato për jashtë orarit të punë dhe mëditjet për trajnime jashtë më shumë se një muaj. Ky do ishte një lajm i mirë për secilin që sot i shërben atdheut”, vijoi Osmani.
Presidentja shtoi se përpjekjet e Serbisë dhe përkrahësve të saj në Kremlin për ta minuar stabilitetin e brendshëm si dhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës sa vijnë e shtohen, por edhe përkushtimi e mobilizimi i shtetit për të parandaluar ato.
Osmani: Heroi ynë Afrim Bunjaku i tregoi Serbisë se Kosova nuk ka asnjë pëllëmbë për të falur
Derisa foli për sulmin terrorist të vitit të shkuar në Bansjkë, presidentja tha se edhe 424 ditë ende nuk ka llogaridhënie nga Serbia.
“24 shtatori i vitit 2023, mëngjesi fatal në Banjskë, për shkak të aktit të agresionit të Serbisë ishte dëshmia më e qartë e kësaj. Atë mëngjes heroi ynë Afrim Bunjaku me shokë i treguan Serbisë dhe gjithë dashakeqësve se Kosova nuk ka asnjë pëllëmbë për të falur dhe se mbrojtja e shtetit tonë është betimi i përjetshëm. Ende 424 ditë më pas nuk ka llogaridhënie e as drejtësi nga ana e Serbisë”.
Tutje kur foli për dialogun me Serbinë, shefja e shtetit tha se ky proces ka qenë komplet i pa balancuar me një trajtim të padrejtë të Kosovës dhe një akomodim të vazhdueshëm ndaj Serbisë.
“Fakti që në tavolinën e dialogut sot shteti që kreu agresion ndaj Kosovës nuk është nën masa e viktima e këtij agresioni është nën masa, është dëshmia më e qartë e kësaj mungese balanci. Është e domosdoshme të ketë reflektim ndaj kësaj qasje, tha presidentja”.
Foli për propozimet e saj për përmirësimin e këtij procesi për çka tha se është ballafaquar me sulme e dezinformata.
“Më duhet të theksoj me keqardhje që shpesh kam bërë propozime për përmirësimin e këtij procesi jam ballafaquar me një sërë dezinformatash e sulmesh të ulëta që nuk i kanë hije askujt në Kosovë. Për të qenë edhe më e qartë, kur unë kam propozuar që drafti i asociacionit të diskutohet me SHBA, në mënyrë që kjo çështje të mos i lihet në dorë as Lajçakut e as të tjerëve që nuk besojnë në Pavarësinë e Kosovës, kjo nuk ka nënkuptuar që unë kam kërkuar themelim asociacioni.
“Ka nënkuptuar që unë më shumë i kam besuar vetvetes dhe Amerikës sesa burokratëve nga shtete jo njohëse. Kam besuar se një draft-statut ku mbrohet kushtetuta, sovraniteti, kufijtë dhe ku mbrohet funksionaliteti i shtetit shumë më mirë hartohet nga ne se sa nga ekspertë të jashtëm që nuk kanë besuar kurrë në projektin e Kosovës së pavarur”, shtoi ajo.
E quajti gënjeshtër atë se ka kërkuar nënshkrim të njëanshme të marrëveshjes.
Osmani: Ruajtja dhe forcimi i aleancave është me rëndësi të paçmueshme
(E plotësuar 10:42) Presidentja Osmani në fjalimin e saj para deputetëve të Republikës tha se pjekuria e shtetit dëshmohet kur sigurohen se politikat e tyre janë të drejta e jo veç ato që janë politikisht të përshtatshme.
“Atë që është e duhur e jo atë që tingëllon bukur, atë që është në interes shtetëror afatgjatë e jo në interes të votave të një palë zgjedhjesh, atë që e ngritë shtetin tonë lart e jo që i ngritë vetëm numrat në sondazhe. Vizioni largpamës është ajo që gjithnjë i ka dalluar liderët e vërtetë, jo vetëm në Kosovë, por kudo në botë”, tha ajo, teksa shtoi se si udhëheqëse e Politikës së Jashtme ka punuar që emri i Kosovës të dëgjohet edhe aty ku nuk është dëgjuar kurrë më parë.
“Shteti ynë edhe pse i ri ka bërë hapa të rëndësishëm në skenën globale të përcaktuar nga aleancat strategjike. Marrëdhëniet tona me SHBA dhe partnerët e tjerë në Evropë e përtej, riafirmojnë rolin tonë si një forcë proaktive për paqen e zhvillimin tonë”, tha Osmani.
Sipas presidentes, asnjë popull nuk ia ka dalë vetëm dhe asnjë shtet sipas saj, nuk ia ka dalë në izolim.
“Rëndësia e ruajtjes dhe forcimit të aleancave është e paçmueshme. Historia politike na mëson se dobësimi i aleancave ose partneriteteve është një gabim strategjik. Të punosh bashkë me ata që na ndihmuan ta kemi lirinë e shtetit asnjëherë nuk është nënshtrim, as shantazhim. Forca jonë e madhe qëndron pikërisht në partneritetet tona”.
Aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme se cilido prej nesh si politikan apo cilado palë zgjedhjesh, janë gurëthemel i sukseseve tona.
“Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre luajtja bixhoz me to, apo cenimi i tyre e cenon mbrojtjen e Republikës tonë. Shihni deklarime te superfuqive botërore do të shihni qindra deklarate e fjalime se si angazhohen ta kapërcejnë çdo sfidë me aleatët. Asnjëherë nuk e kam kuptuar as mirëkuptuar as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, as keqpërdorimin e emrit të tyre për të fituar pushtet, as njëra, as tjetra nuk i bën nder Kosovës”.
Osmani: Nuk ka forcë që do të mund t’i rrënojë themelet e shtetit
Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit të Republikës ka thënë se sot duhet t’i bashkojë patriotizmi kushtetues i cili sipas të parës së shtetit shkon përtej ndasive politike.
“Andaj, sot, më shumë se kurrë na duhet ajo që njihet si patriotizëm kushtetues, i cili shkon përtej ndasive politike dhe kthehet tek bazamenti i shtetësisë sonë. Është ky lloj patriotizmi që na bashkon, jo sepse ndajmë mendimet e njëjta çdoherë, por sepse besojmë në të ardhmen e ndërtuar mbi vlerat dhe parimet që na përbashkojnë dhe për shkak se populli ynë gjithnjë ka ditur të bashkohet në mbrojtje të atdheut të ndërtuar me aq shumë sakrificë”, than ë fjalimin vjetor Presidentja.
Tutje Osmani tha se në thelb të patriotizmit kushtetues është besimi se kushtetuta është më shumë se një dokument juridik.
“Ajo është një kontratë shoqërore që mishëron idealet dhe aspiratat tona të larta. Ajo garanton lirinë, drejtësinë dhe barazinë para ligjit për të gjithë qytetarët, pavarësisht dallimeve. Këto parime nuk janë vetëm obligime ligjore, por edhe akt patriotizmi që forcojnë themelin e shtetit tone”, vijoi presidentja.
E para e shtetit tha se në këto kohë të trazuara për globin, kur, sipas saj, fragmentimi e përçarja bëhen edhe më të dukshme, besnikëria ndaj parimeve të kushtetutës tha se duhet t’i bashkojë.
“Kjo formë patriotizmi e shndërron obligimin individual në një detyrë qytetare në funksion të mbrojtjes të rendit tonë demokratik, të mbrojtjes së cdo pëllëmbe të Republikës sonë. Sot siguria është parakusht qenësor për mirëqenie të shtuar.”, tha Osmani.
Osmani tha se është i katërti vit që po u drejtohet nga foltorja e Kuvendit në rolin e kreut të shtetit që e quajti si nderin më të madh të jetës.
“Jemi këtu ku jemi, me mision për ta udhëhequr vendin tonë përpara, për ta fuqizuar shtetësinë tonë gjithnjë e më shumë, për të shtuar aleancat e për të qenë vesh e sy, mbështetje për secilin qytetar”.
Sipas Osmanit, momenti kur mund të thonë se ia dolën është kur sipas saj qytetarët do të thonë se janë krenarë për vendin, për vlerat që ai përfaqëson si dhe për mundësitë dhe gjithpërfshirjen që ofron, e jo për shkak të ndonjë personi apo grupi politik. “Ky është nderi më i madh q mund t’i bëjmë Kosovës tonë”, vijoi presidentja.
Ajo tha se rruga deri te shtetësia nuk ishte e lehtë.
“Rruga deri te shteti që e gëzojmë sot nuk ka qenë fare e lehtë. Populli ynë ka humbur edhe më të shtrenjtën, duke përfshirë edhe fëmijët në djep në mënyrë që sot të frymojmë lirshëm. Bashkëdyzimi i vizionit të binomit Ibrahim Rugova e Adem Jashari nëpërmjet luftës çlirimtare në njërën anë dhe ndërtimit të shtetit duke fuqizuar aleancat nga ana tjetër, bëri që themelet e shtetit tonë të jenë të forta, shumë të forta, aq të forta sa që nuk ka forcë e sfidë që do të mund t’i rrënojë ato”, tha presidentja Osmani.























