Kujdesi ndaj ujit të pijshëm i rëndësishëm për të tashmen dhe të ardhmen
BKT
Në Fokus

Kujdesi ndaj ujit të pijshëm i rëndësishëm për të tashmen dhe të ardhmen

Sh.G / RTKlive

Uji është bazë e jetës. Burim i domosdoshëm për çdo qenije që frymon e me rëndësi jetike për mjedisin dhe mirëqenien. Kujdesi ndaj mjedisit është kujdes jo vetëm për të tashmen, por edhe për brezat që vijnë, ndaj ruajtja dhe kujdesi ndaj ujit të pijshëm nuk është vetëm përgjegjësi, por një mundësi për të kontribuar në mbrojtjen e mbarë planetit. 

Derisa mungesa e ujit dhe qasja në burime të pastra është një sfidë globale, ndërmarrja e veprimeve konkrete për menaxhimin e drejtë të resurseve ujore është një domosdoshmëri që vë para një përgjegjësie jo vetëm institucionet por edhe vet qytetarët. 

Kosova është ndër vendet më të varfra kur bëhet fjalë për burimet e ujërave të pijshëm. Llogaritur me kokë banori ka vetëm 1.600 metër kub ujë. 

Nisur nga ky fakt dhe përballë nevojës për këtë element të rëndësishëm jetësor, gjatë viteve të 70-ta u ndërtuan  disa ujëmbledhës, liqene akumuluese, të cilat do të shërbenin për furnizimin me ujë të qytetarëve dhe gjithsesi edhe për industrinë e cila asokohe kishte filluar të lulëzonte. 

Në regjionin e Prishtinës u ndërtuan ujëmbledhësi i Badovcit dhe i Batllavës, ndërsa në territorin më të gjerë të Kosovës u ndërtuan Liqeni i Ujmanit dhe Radoniqi i Gjakovës. 

Ujëmbledhësi i Badovcit  u ndërtua në vitet 1963-1966, i destinuar për të furnizuar me ujë qytetin e Prishtinës. 

Atë botë liqeni u ndërtua me financime të Bankës Botërore dhe kontributit të qytetarëve, të cilët, sipas politikave të asaj kohe, për vite të tëra kontribuuan me përqindje nga paga e tyre. Vlera e investimit në atë kohë kishte arritur mbi 30 milionë dollar.

I ndodhur vetëm 5 kilometra larg qytetit të Prishtinës, në një zonë me bukuri natyrore, liqeni ka gjatësi prej 3.5 kilometrash ndërsa gjerësia e tij arrin në 100 metra. 

Thellësia maksimale e këtij liqeni artificial është 30 m, dhe ka vëllim total prej 26 milion metër kubik ujë. Zona ujëmbledhëse e liqenit është 109 km2.

Liqeni i Batllavës është një tjetër liqen artificial që gjendet në afërsi të qytetit të Podujevës. Ndërtimi i tij ka filluar në vitin 1958 ndërsa në vitin 1970 është testuar për herë të parë. 

Sipërfaqja e liqenit është 2.78 kilometra katrorë, gjatësia maksimale e liqenit është 6000 metra dhe gjerësia maksimale 700m, ndërsa thellësia maksimale arrin në 48m.

Ky liqen shërben kryesisht si burim i rëndësishëm i ujit të pijshëm për rajonin e Prishtinës dhe Podujevës.

Përveç funksionit të tij kryesor, liqeni i Batllavës është bërë destinacion i preferuar për rekreacion dhe aktivitete të ndryshme sportive.

Pozita e tij në raport me natyrën krijon një peizazh mbresëlënës, duke e kthyer në një vend ideal për kalimin e kohës së lirë larg vapës dhe zhurmës së qytetit.

Liqeni është i pasur me peshq, veçanërisht me krap, fakt që e bën peshkimin aktivitet të rregullt në këtë zonë për vizitorët nga e gjithë Kosova. 

Liqeni me i madh artificial në Kosovë është Liqeni i Ujmanit. 

I ndërtuar në luginën e lumit Ibër,  liqeni ka gjatësi 24 km, gjerësi deri në 1300 m, thellësi 105 m dhe sipërfaqe të tërësishme që arrin në  11.9 km. Kapaciteti i ujit në këtë liqe arrin shifrën prej 400 milionë metra kub ujë. 

Sipërfaqja e liqenit ndodhet në nivelin 694 m të lartësisë mbidetare dhe shtrihet në dy shtete; rreth 80 për qind e sipërfaqes së liqenit ndodhet në Republikën e Kosovës, ndërsa pjesa tjetër ndodhet në Republikën e Serbisë. 

Diga e liqenit, e ngritur në rrjedhën e mesme të lumit Ibër në vitet 1979 – 1984, është ndër digat tokësore më të mëdha në Evropë me një lartësi prej 107 metrash dhe gjatësi prej 460 metra. 

Ndërtimi i saj besohet të këtë kushtuar 90 milionë dollarë, gjysma e së cilave ishin mbuluar me një kredi nga Banka Botërore.  

Nën digën e Ujmanit, ndodhet hidrocentrali me dy turbina, kapaciteti i të cilave arrin në 35 MW. 

Nga ky liqe furnizohen me ujë dy termocentrale, Kosova A dhe Kosova B. Ndërsa uji i Ujmanit, përmes kanalit të Iber-Lepencit, me gjatësi 49 kilometra, përshkon një numër të konsiderueshëm të fshatrave dhe qyteteve.

Në raste të thatësirës dhe rënies së nivelit të ujit, Ujmani ka kapacitet për mbushjen e liqeneve të Batllavës dhe Badovcit. 

Nga liqeni i Ujmanit ujiten rreth 20.000 hektarë tokë bujqësore të Kosovës,  ndërsa liqeni ka rëndësi të madhe për funksionimin e Korporatës Energjetike të Kosovës. 

“Në atë kohë Kosova i ka shfrytëzuar edhe disa burime të jashtme edhe për Ujmanin, për Elektrana, për Trepçën e edhe për ekonominë e ujërave dhe atë të rrugëve. Të gjitha ato kanë qenë kredi nga Banka Botërore dhe të gjitha këto janë kthyer gjithmonë me kohë, çdo këst që ka qenë i paraparë e nëse ato që si kthente shfrytëzuesi, garantues për këtë ka qenë Kuvendi i Kosovës. Për atë arsye kanë qenë edhe me destinime edhe me burime të garantuara”, tha Nazmi Mustafa, profesor i ekonomisë për emisioni 'Gjurmët' në RTK.

“Prishtina viteve të gjashtëdhjeta ka pasur krizë të madhe të ujit të pijes dhe ka ardhur vendimi për  të ndërtuar liqenin e Badovcit dhe në vitin 1964 ai u funksionalizua. Është liqe shumë i rëndësishëm dhe  ka qenë zonë e mbrojtur diku rreth 203 hektarë tokë, ku nuk është lejuar të ndërtohet.  Zona  e sigurisë është prej shpatit dhe krejt çka rrjedhë në liqenin Badovcit është zonë e sigurisë dhe në atë zonë nuk guxon të këtë ndërtime”, tha Çaush Bajrushi, ish-drejtor i ujësjellësit KRU Prishtina.

Bajrushi tha se kostoja për ndërtimin e Badovcit ka qenë 40 milionë dollarë, që i ka dhënë Banka Botërore dhe nga dy për qind të të ardhurave i kanë dhënë qytetarët e Prishtinës, të Fushë Kosovës dhe të Obiliqit për ndërtimin e ujësjellësit të Prishtinës.

Ndërsa për liqenin e Batllavës, Çaushi tha se është ndërtuar brenda 18 muajsh, 6 muaj para afatit. “Por, pavarësisht kapaciteteve jo të mjaftueshëm të ujëmbledhësve sa i përket ujit të pijshëm në raport me banorët dhe nevojat  në Kosovë, ajo që lë shumë për të dëshiruar është kujdesi ndaj tyre”, u shpreh Çaushi, teksa shtoi se evitimi i ndotjes është i vështirë dhe në këtë pikë mungon ngritja e vetëdijes qytetare për ruajtjen e ujit dhe mjedisit në përgjithësi. 

Agron Bektashi ekspert i ujërave, thotë se aktivitetet njerëzore e kanë degraduar në masë të madhe në kuptimin e papapastërtisë, që është evidente e kështu edhe aktivitetet e ndryshme nuk do të duhej të jenë të lejueshme pasi që kontribuojnë në ndotjen e ujit.

Ndërsa Egzona Shala udhëheqëse e organizatës ECOZ, thotë se secili vend akumulues ka një mënyrë se si të ruhet liqeni e që është në bazë të zonave, që ekzistojnë në letër, por jo në realitet.


MË SHUME NGA Në Fokus