“Voyage”, emision për ansamblet e këngëve dhe valleve shqipe
BKT
Kulturë

“Voyage”, emision për ansamblet e këngëve dhe valleve shqipe

K. Kasumi / RTKlive

Në emisionin “Voyage”, që u shfaq mbrëmë në RTK me temën Ansamblet e Këngëve dhe Valleve si dhe ruajtja e traditës shqiptare, mysafirët Hajdar Elezkurtaj, drejtues i Ansamblit “Emin Duraku” nga Zhuri, Bashkim Lajçi etnolog, Shaqir Hasi nga Ansambli “Shote Galica” nga Drenasi, dhe në lidhje të drejtpërdrejtë nga Gjermania Çerkin Bytyqi, bashkautor i monografisë dedikuar Ansamblit “Emin Duraku”, folën për tre ansamblet më të vjetër të Kosovës.

Arsyeja pse i është dedikuar ky emision Ansamblit të Këngëve dhe Valleve ‘Emin Duraku’ nga Zhuri është edhe botimi i monografisë.

Hajdar Elezkurtaj tha se themelues i Ansamblit “Emin Duraku” nga Zhuri ka qenë babai i tij, Hamdi Shabani, me njëmbëdhjetë anëtarë të tjerë, të gjithë nga Zhuri, të gjithë meshkuj sepse, siç tha ai, emancipimi i femrës në atë kohë ka qenë i mangët. “Në këto vite kryesisht ka kultivuar dasmën e Zhurit. Aty janë paraqitur ritet, doket, zakonet, siç janë Kënga e Kulaqit, Kanagjeqi, loja e filxhanëve etj”, tha Elezkurtaj.

“Inkuadrimi i femrave ka ndodhur pas viteve ’50. Ka pasur raste që, në mungesë të vajzave në ansambël, i vishnin meshkujt si gra, ndërsa sot është e kundërta. Në mungesë të djemve, vajzat vishen me rroba djemsh”, shtoi ai.

Kurse Shaqir Hasi tha se situata ekonomike kur janë krijuar këto ansamble ka qenë kur Kosova ishte në pozitë jashtëzakonisht të vështirë.

Bashkim Lajçi, pohoi se gjatë rrugëtimeve të ansambleve në periudha të ndryshme, ansamblet nuk e kanë pasur përkrahjen e nevojshme. “Do të doja që të ardhmen të ketë një reflektim më të madh të institucioneve për ansamblet”, tha Lajçi.

Ndërkaq Çerkin Bytyqi tha se ansambli artistik i Zhurit meriton më shumë libra se ky. “Së bashku me kryetarin e ansamblit Hajdar Elezkurtaj kemi dashur ta kemi një monografi të tillë, që t’u lëmë gjurmë gjeneratave të ardhshme, të dinë për veprimtarinë e bujshme të zhvilluar në rrethana aspak të lehta dhe në kushte tejet të vështira të punës dhe veprimtarisë artistike në Zhur”, tha Bytyqi.

Shaqir Hasi tha se populli ynë ka pasur një vetëdije të jashtëzakonshme.

“Kanë filluar prej riteve, dokeve, zakoneve, dasmave e që element ka qenë veshja, instrumentet. Në fillim kanë qenë fanatike, por më vonë, për fat të keq, kemi pasur deformim të këngëve dhe  veshjeve”, tha ai.


MË SHUME NGA Kulturë