Biblioteka Kombëtare e Kosovës feston 80 vjetorin
BKT
Kulturë

Biblioteka Kombëtare e Kosovës feston 80 vjetorin

Sh. Gashi|rtklive

Biblioteka Kombëtare e Kosovës ‘Pjetër Bogdani’, këtë vit shënon 80 vjetorin. Për këtë vit jubilar sot mbahet ceremonia festive "Dita e Bibliotekës" 2024. Ceremonia e hapjes do të zhvillohet në hollin e Bibliotekës.

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës "Pjetër Bogdani", Blerina Rogova Gaxha, sot në RTK ka folur rreth kremtimit të 80 vjetorit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Ajo njoftoi se ceremonia do të fillojë sot në ora 17:00 me praninë e shumë mysafirëve. Aktivitetet do të vazhdojnë me një koncert të Korit të Filarmonisë së Kosovës në hollin e bibliotekës, më do të hapet një ekspozitë me titullin "Antologji e Koleksioneve" kuruar nga Hana Halilaj, ekspozohen për të parën herë dorëshkrime dhe materiale origjinale nga fondi i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, skicat e objektit të bibliotekës, materiale audiovizuale, si dhe libra, gazeta, revista, harta e fotografi, që u takojnë zhvillimeve dhe periudhave të ndryshme kulturore e historike të Kosovës në nderim të 80 vjetorit të bibliotekës.

"Po ashtu, nesër do të kemi një ligjëratë të organizuar nga Biblioteka dhe Ministria e Kulturës, ku do të jetë i ftuar arkitekti i bibliotekës, Andrija Mutnjakoviq. Ai është një arkitekt kroat, i njohur për projektimin e kësaj godine që është një ndër veprat më të njohura të arkitekturës moderne në Kosovë, dhe jemi të nderuar që ai do të jetë prezent," tha Rogova Gaxha.

Ndryshe Biblioteka Kombëtare e Kosovës, qe hapur në vitin 1982, është një nga ndërtesat më të njohura dhe më të diskutuarat në vend, jo vetëm për estetikën e saj të veçantë, por edhe për funksionalitetin dhe ndikimin kulturor që ka pasur në zhvillimin e arsimit dhe kulturës në Kosovë.


MË SHUME NGA Kulturë