Nis fushata `16 Ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore`
Elmina Osmani / RTK
Ministria e Drejtësisë ka shënuar nisjen e fushatës globale "16 Ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore".
Në këtë ceremoni ka marrë pjesë kryeministri, Albin Kurti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, zëvendës kryeministra, mininstra, zyrtarë, prokurorë, policë, ambasadorë të akredituar në Kosovë e Rrjeti i Grave të Kosovës.
Nga aty u bë thirrje që të vazhdojë angazhimi për parandalimin e rasteve të dhunës.
Kryeministri i vendit Albin Kurti ritheksoi përkushtimin për të luftuar kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave. Ai tha se institucionet janë për të mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe për një shoqëri ku çdo grua dhe vajzë ka të drejtë të jetojë e lirë e të ëndërrojë pa frikë.
Kurti tha se po zbatohet strategjia kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave me ç ‘rast sipas tij, 87 përqind e aktiviteteve janë zbatuar plotësisht ose janë në zbatim e sipër.
“Aktivizmi ynë për të luftuar dhunën është i përqendruar në nivel lokal, por e dimë që ky problem i tejkalon kufijtë”, tha Kurti.
Kryeministri u shpreh se dhuna me bazë gjinore është zbatim i mendësisë arkaike që nuk duron që shoqëria të funksionojë në parimet e barazisë.
Fushata e cila zgjatë 16 ditë ashtu si emri i saj ka për qëllim sensibilizimin e opinionit kundër dhunës në baza gjinore.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bëri thirrje që gratë të raportojnë dhunën në familje dhe ajo të mos mbetet pa u adresuar.
“Sot jemi mbledhur këtu për një qëllim fisnik dhe për një kauzë jetësore për të gjithë ne. Jemi mbledhur këtu për të ngritur zërin tonë kundër një prej plagëve më të rënda dhe të fshehta, dhunës në familje. Nuk ka më vend për justifikime, nuk ka më vend për indiferencë ", tha Haxhiu..
Ajo theksoi se dhuna në çdo formë është një shkelje e të drejtave të njeriut, një pengesë për mirëqenien e individit dhe sfidë për të ardhmen tonë si qeveri.
“Në çdo rast dhune është përgjegjësia jonë si institucione dhe si qytetarë të mos lejojmë që ajo të mbetet pa u adresuar. Këto 16 ditë të aktivizmit nuk janë vetëm thjeshtë një periudhë simbolike, por një thirrje për veprim të pandërprerë dhe të palëkundur”, tha Haxhiu.
Ndërkohë, kryetarja e Bordit të RrGK-së, Ariana Qosaj-Mustafa, tha se është koha për reflektim të sfidave dhe problematikave dhe për të ngritur zërin e për të kërkuar që t'i ipet fund dhunës ndaj grave dhe të garantohet barazia gjinore në shoqërinë e Kosovës.























