Xani: Takimi i paralajmëruar në Bruksel, `sa për të mbushur një agjendë`
E. Hoti / RTKlive
Nohësi i zhvillimeve politike, Visar Xani, duke folur për paralajmërimin e emisarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, për takimin e radhës së kryenegociatorëve në Bruksel, tha se duket si një takim i përsëritshëm.
“Duket takim deja-vu, për shkak se po përsëriten takime të njëjta pa rezultate, madje me deklarata të njëjta dhe përpjekje të njëjta. Ndoshta dhe qëllimet politike janë të njëjta, për tu takuar sa për të mos u refuzuar, por në anën tjetër për të kalkuluar se kur do të ketë lëvizje në dialog”, tha ai në ”Lajmet e Fundit” në RTK.
Zani tha se ka shumë faktorë të cilët kanë ndikim në procesin e dialogut.”Kemi ndryshime në politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kemi figura të reja në politiken e jashtme të BE-së, zgjedhje në Kosovë dhe të gjitha këto kanë efekt. Mbase edhe lëvizjet e mundshme gjeopolitike mund të kenë ndikim, por që të gjitha këto i bëjnë palët të pa përgatitura për të pasur takime me rezultate konkrete”, tha ai.
Sipas tij, këto takime më shumë janë takime protokollare se sa për të mbushur një agjendë të caktuar, por jo një agjendë që çon drejt zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit.
Xani theksoi se nuk beson që në këtë takim do të jetë temë kryesore Asociacioni.
“Fatkeqësisht kemi parë takime me shumë pika në agjendë dhe negociatat e tilla janë të prirura që të mos ketë lëvizje në asnjë pikë. Mund të përmenden të gjitha temat që janë në procesin e dialogut, por nuk do të ketë një temë qendrore e që pastaj të ketë lëvizje”, nënvizoi ai.























