Analistët: Parafushata po shoqërohet me gjuhë të ashpër, s’kanë programe
V.Th. & G.K|RTKlive
Edhe pse zgjedhjet në Kosovë do të mbahen me 9 shkurt 2025, dhe fushata fillon zyrtarisht me 6 janar, partitë politike kanë nisur parafushatën shumë më herët. Të ftuarit në “RTK Prime” duke folur për diskursin e përdorur gjatë kësaj periudhe dhe luftën hibride, kanë thënë se protagonistët politik e ka nisur parafushatën duke përdorur gjuhë të ashpër.
Analistja Besa Luzha ka theksuar se fushata ka filluar shumë herët dhe se Komisioni i Zgjedhjeve nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për këtë gjë. Sipas saj, diskursi që po përdoret nga partitë politike është shumë i vrazhdë.
“Nuk po me pëlqen diskursi aktual, është si njëfarë lloj gare se kush është më patriot, kush është kundër Serbisë dhe kush është më bashkëpunues. Të gjithë njerëzit që jetojnë këtu pak a shumë e dinë situatën. Opozitën po e shoh që në një farë mënyre padrejtësisht po i sulet pozitës për çështjet të cilat kanë ndodhë në kohën kur kanë qenë ata në pushtet”, është shprehur Luzha.
Sipas saj ka filluar një fushatë e egër duke e sulmuar njëri tjetrin në baza personale dhe në çështje që nuk kanë të bëjnë me fushatën. Luzha tha se partitë politike do të duhej të konkurronin me programe të qarta e jo me këtë gjuhë të rëndë me akuza ndaj njëri tjetrit.
Ndërsa, politologu Shkodran Ramadani, ka thënë se arsyeja kryesore pse fushata ka filluar më herët, është se për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, një qeveri po e çon mandatin deri në fund.
“Meqenëse partitë e dinë qysh tash që zgjedhjet do të mbahen me 9 shkurt, shumë muaj para se të mbërrijmë te data, atëherë partitë i përvishen punëve, më herët fillojnë fushatën, fillojnë mobilizimin, përgatisin strukturat në mënyrë që të jenë të përgatitur për të dalë në mejdan me njëri-tjetrin”, ka deklaruar ai.
Ndërsa sa i përket polarizimit dhe depolarizimit, Ramadani ka thënë se pritet që polarizimi të jetë njëkahësh, ku sipas tij, Vetëvendosja pritet të jetë më agresive në fushatë, dhe të qaset më negativisht në raport me partitë opozitare të cilat siç thotë ai, për herë të parë në historinë e pasluftës janë akuzuar për pasivitet, kontruktivitet të tepruar.
“Vetëvendosja është parti populiste dhe si të gjitha partitë populiste ajo e ndan shoqërinë në dy grupe, antagoniste dhe armiqësore. Me eliten e korruptuar në një anë dhe në popullin e shtypur e të vjedhur e që përfaqësohet vetëm nga Levizja Vetëvendosje”, ka thënë Ramadani.
E gazetari, Muhamet Hajrullahu duke folur për “luftën hibride” e cila po përmendet pothuajse çdo ditë gjatë kësaj parafushate, ka thënë se kjo nuk vjen nga brenda, por nga jashtë.
“Tendencat për të ndërhyrë në proces zgjedhor, për t’a diskredituar Kosovën, procesin demokratik nuk vijnë nga brenda. Nuk ka parti politike që bën luftë hibride brenda Kosovës”, ka thënë Hajrullahu.
Duke folur për detyrat e medieve gjatë fushatës elektorale, Hajrullahu ka theksuar se është e rëndësishme që mediet të mos rreshtohen në trendin e diskursit që e dëmton demokracinë e Kosovës. Sipas tij, mediet serioze e profesionale e kanë për detyrë me raportuar dhe me tregu të vërtetën.
“Partitë politike shpeshherë janë pjesë e kësaj me i ndihmu këtij diskursi, sepse ato i përdorin për interesa të veta, se qëllimin e kanë me ardhë në pushtet ose me vazhdu pushtetin dhe ato i përdorin mekanizmat e tyre për me shpifë, dhe me dezinformu. Në momentin që ne si media i bashkohemi këtij diskursi, atëherë ne jemi pjesë përbërëse të njërës palë”, ka thënë Hajrullahu.























