Ekspozita në Gjakovë nderon 90-vjetorin e Murteza Xajë Nurës
Sh.G / RTKlive
Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport të Gjakovës, Adea Roka, në “Mirëmëngjesi Kosovë” shpalosi detaje për ekspozitën personale të Murteza Xajë Nurës, organizuar për të shënuar 90-vjetorin e lindjes së tij.
Drejtoresha Roka e vlerësoi ekspozitën si një ngjarje të veçantë.
“Një ndër ekspozitat më të veçanta që po i realizojmë në Galerinë e Arteve në Gjakovë, me vetë iniciativën e familjarëve të Murteza Xajë Nurës, për nder të jetës dhe veprës së tij, si në aspektin e artit ashtu edhe të historisë”, theksoi ajo.
Ekspozita, e cila hapet sot në ora 18:30, do të qëndrojë e hapur për dy javë në Galerinë e Arteve të Gjakovës. Ajo përfshin një koleksion të pasur prej rreth 25 veprash, shumë dorëshkrime, piktura dhe skulptura nga disiplina të ndryshme, të krijuara gjatë viteve të tij të punës artistike. Veprat janë të ekspozuara në dy kate të galerisë, duke ofruar një panoramë të plotë të kontributit të tij në art dhe kulturë.
Murteza Xajë Nura, i lindur dhe rritur në Pejë, kaloi shumicën e jetës së tij në Gjakovë. Ai ishte një figurë e shquar, jo vetëm si piktor me disa ekspozita personale, por edhe si poet, shkrimtar dhe aktivist i çështjes kombëtare, për të cilën vuajti 12 vite burg nga një dënim prej 44 vitesh.























