`Paradigma`: Personalitetet e Mitrovicës që lanë gjurmë në histori
Besjana Mulaj / RTK
Ndërtesat në qytetin e Mitrovicës janë shumë të vjetra dhe besohet që datojnë rreth gjashtë shekuj më parë. Një nga objektet më të vjetra të këtij qyteti ishte xhamia e Gazi Isa Begut, e cila, sipas historianëve, është objekti i parë që shërbeu si qendër e qytetit. Përveç xhamisë në Mitrovicë ishin edhe shumë ndërtime të tjera historike që pasqyronin zhvillimin e qytetit dhe ndikimet kulturore të periudhave të ndryshme.
Historiani Oktaj Hasani në emisionin "Paradigma" në RTK tregoi se Mitrovica e vjetër ishte ndërtuar pranë lumit Lushta, por që sot ky lumë është mbuluar me rrugën kryesore të qytetit.
“Mitrovica ka qenë lokaliteti i banuar që nga periudha e antikitetit. Këtë e dëshmojnë gjetjet arkeologjike. Ndërtimi i bërthamës së Mitrovicës fillon pas vitit 1455 kur në atë kohë Perandoria Osmane e udhëhequr nga Sulltan Mehmeti i dytë e pushton këtë territor dhe Mitrovica futet nën Perandorinë Osmane dhe në atë periudhë nga strategët. Gazi Isa Begu e nis ndërtimin e qytetit të vjetër të Mitrovicës dhe e bën ndërtimin e xhamisë së vjetër, hanin dhe me këto elemente fillon edhe ndërtimi i bërthamës së vjetër të Mitrovicës. Realisht bërthama e vjetër e qytetit gjendet në një trekëndësh që e kap anën e djathtë të lumit Ibër, tregun e dikurshëm dhe anën e kazermës ushtarake që gjendet në qytetin e Mitrovicës dhe nëpërmes saj ka kaluar lumi Lushta”, tha ai.
Mitrovica gjatë shekujve kishte objekte të rëndësishme në ndërtimin e të cilave kontribuan figurat historike. Shumë nga këto objekte nuk i kanë mbijetuar kohës dhe mbeten dëshmi që na kujtojnë të kaluarën vetëm në disa fotografi.
Nga objektet që i kanë shpëtuar themelet është shtëpia e familjes Qorolli. Ajo u përfshi nga zjarri kohë më parë, por që është duke u renovuar nga Ministria e Kulturës. Në renovim është edhe shtëpia e Xhafer Devës.
Kurse, Nexhmedin Spahiu, profesor i shkencave politike, tha se rëndësia e renovimit të shtëpisë së Xhafer Devës është e para, por jo më kryesorja që e ka zbukuruar qytetin e Mitrovicës, e vetmja gjë që e prish këtë është shtëpia pranë shtëpisë së Xhafer Devës sepse ish dashur të shpronësohej dhe të bëhej park. Çdokund në botë pranë bukurive të tilla ekziston një park, e në Mitrovicë është qendra e qytetit dhe do të duhej të ishte një park.
“Shtëpi është ndërtuar në vitin 1930, atëherë kur ai ishte 26-vjeçar, kur ishte duke i përfunduar studimet në Austri dhe kur kishte filluar biznesin e tij. Është ndërtuar në stilin barok dhe besoj që është e vetmja shtëpi në Kosovë e ndërtuar në këtë stil, ndërsa në vitin 1945 kjo u konfiskua dhe ka qenë qendër e komandës ushtarake për rajonin e Mitrovicës dhe më vonë ka shërbyer edhe si shtëpi shëndeti, pastaj strehimore për banorët e pastrehë dhe në fund ka pasur tendenca që kjo të digjet dhe të ndërtohet banesa, por shpëtoj”, shtoi ai.
Enis Kelmendi pohoi se “ka shtëpi e ka objekte që i kemi rrënuar edhe vetë pas luftës dhe fatkeqësia është e jona, por këto që kanë mbetur ka rëndësi shumë të madhe që të shihen, sepse kur e kemi objektin, rikonstruimi i historisë është shumë më i mirë. Mitrovica i ka pasur 7 kinema, disa prej tyre ende i kemi, por nuk janë renovuar. Tash së fundmi është renovuar shtëpia e Xhafer Devës…”.
“Të gjitha që shtëpitë e personaliteteve kudo që janë, edhe nëse nuk ekzistojnë, duhet t’u ruhet gurthemeli dhe të ringriten sepse ua kemi borxh atyre që dhanë gjithçka që ne sot të kemi identitet, me pas lirinë dhe vendin dhe shtetin tonë dhe me pas personalitete sepse jo çdo popull ka personalitete dhe heronj, jo çdo popull ka mite dhe legjenda...”, shtoi ai.
Përderisa objektet e personalitete nuk u ruajtën, me qëllim të ruajtjes së kujtesës kolektive në sheshin kryesor të Mitrovicës janë vendosur fotografitë e figurave që lanë gjurmë në historinë e ndërtimit të Mitrovicës. E në mesin e tyre e gjejmë edhe familjen Dragaj.
“Familja Dragaj ka një prejardhje nga Sanxhaku, nga Rozhaja saktësisht dhe vendosja e saj në Mitrovicë dhe përballja e saj politike dhe ekonomike, me shtetin osman, por edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur ata e themeluan partinë e vetme politike në Jugosllavi, që u angazhua për të drejatat e shqiptarëve në mbretërinë kroate sllovene të cilët dhanë një kontribut jo vetëm minor, por të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e të drejta të shqiptarëve…”, pohoi Kelmendi.
E në këto objekte kishin kontribuar personalitete të rëndësishme të kohës, por emrat e tyre sot pak përmenden.
Historiani Enis Kelmendi thotë se Mitrovica është e pasur me emra të rëndësishëm që kontribuan në kohë të vështira për vendin.
“Në fund të shekullit 19 dhe deri kah mesi i shekullit të 20 Mitrovica ka qenë qendra … me këtë rast Mitrovica është shumë e pasur që nga fillimi i kombit shqiptar që nga mesi I shekullit të 20 Mitrovica karakterizohet me pjesëmarrje shumë të madhe të personaliteteve për revidimin e ngjarjeve historike, mund të flasim për familje që kanë dhënë shumë kontribut për themelimin e shtetit si familja Boletini, familja Dragaj, familja Deva dhe personalitete e ndryshme, familja Mitrovica … Xhafer Deva, Bedri Gjinaj, Muhamet Selaci……”, tha ai.
Nexhemdin Spahiu tha se “Xhafer Deva është njeriu dhe personaliteti më i rëndësishëm në historinë e Kosovës paraqet kulmin e nacionalizmit shqiptar dhe themelin e nacionalizimit kosovar. Paraqet kulmin e nacionalizmit shqiptar për shkak se ka qenë i vetmi që e ka realizu ëndrrën e rilindësve shqiptar për një shtet shqiptar me kufij etnik. Në kohën kur ai ishte në kulmin e karrierës së tij politike krijoj Shqipërinë me kufijtë që nga Shqipëria e sotme e deri të Bujanovci e Shkupi dhe Novi Pazarin, në ndërkohë me Lidhjen e Prizrenit kur ai heqë dorë nga lidhja e Kosovës me Shqipërinë dhe nisi idenë për pavarësinë e Kosovës me sloganin Vetëvendosje për Kosovën në lidhjen e tretë të Prizrenit në viti 1966 dhe ia bëhet baba i idesë së Pavarësisë së Kosovës me të cilën ai lobon tek institucionet amerikane”.
Ajo që mbetet peng i njohësve të historisë por edhe i bashkëvendëseve është se këtyre figurave nuk ju dha hapësira e merituar në tekstet historike.
“Ajo çfarë shkruan në librat e historisë duhet të ndryshohen patjetër me themel sepse është një histori enveriste të cilën e kanë shkruar armiqtë e popullit tonë dhe figura e Xhafer Devës nuk është e përfaqësuar në mënyrën e duhur, vetëm një shembull ta marr në Prishtinë ekziston një rrugicë me emrin Xhafer Devës në ndërkohë që ta zëmë që Muharrem Fejza që ka qenë një bashkëpunëtor i Xhafer Devës e ka emrin një rrugë goxha e njohur në Prishtinë, ky është një absurd”, tha Spahiu.
“Unë pasi që merrem edhe me çështjen e arsimit… kultivimi i patriotizmit dhe i vlerave kulturore vjen përmes shkollave sepse ne i kemi tekstet shkollore dhe unë studio dhe shumë pak flitet për këto personalitete që më të vërtet kanë dhënë një kontribut të madh për bërjen dhe forcimi ne etnis dhe kombit shqiptarë por ne i shohim shumë pakë të përmendura në tekstet shkollore andaj është mirë që për këto figura të flitet dhe të mësohet nëpër shkolla“, pohoi Kelmendi.
Nga Mitrovica ka edhe shumë personalitet të shquara që shoqëria jonë pak i njeh, një ndër ta është Bedri Gjinaj, i cili në vitin 1940 vjen në vendlindje dhe fillon hapjen e shkollave të para shqipe. I rëndësishëm është edhe emri i Ibrahim Lutfiut, i cili ishte kryetar komune në kohën e Luftës së Dytë Botërore.























