Vazhdon procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmitar Sokol Bashota
N.M. /RTKlive
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot po vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në Hagë, sot, ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i radhës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Sokol Bashota, me kodin W04401. Trupi gjykues i ka dhënë garanci Bashotës se dëshmia e tij nuk përdoret për ta ndjekur penalisht atë.
Halil Çadraku, dje ka përfunduar dje dëshminë e tij në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sipas kalendarit të Dhomave të Specializuara, gjykimi “Thaçi dhe të tjerët”, këtë javë pritet të mbahen katër seanca gjyqësore, dhe një, të premten, për rastin Pjetër Shala, raporton RTKlive.
Gjykata Speciale njofton se këtë të premte nga ora 11:00 do të shqiptojë urdhrin për zhdëmtimin e viktimave në çështjen gjyqësore të Pjetër Shalës. Tetë viktima morën pjesë në proces, të gjithë nën masa mbrojtëse.
Ndryshe, rasti gjyqësor ‘Hashim Thaçi dhe të tjerët’, filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.
Kujtojmë se Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.























