Ikonomi: `Rebeli`, vëllimi i dytë i ciklit për Fan Nolin
Vera Pelaj| RTK-Radio
‘Apostulli’, dhe ‘Rebeli;, janë dy vëllimet për Fan Nolin, nga autori Ilir Ikonomi, në ciklin për Nolin. Ikonomi në intervistë për Radio Kosovën ka paralajmëruar edhe vëllimin e tretë, me të cilin do ta përmbyll ciklin për Fan Nolin.
Duke rrëfyer për hulumtimet e bëra nëpër arkiva të ndryshme në Evropë dhe Amerikë për këtë figurë të rëndësishme të kombit shqiptar, ndër të tjerat tregon se: “Shqiptarët e Amerikës, në fillim të shekullit 20-të, vinin nga fshatrat shqiptare dhe ishin të paedukuar, të paarsimuar. Noli vendosi që duke krijuar një kishë shqipe, t’i mblidhte të gjithë bashkë, jo vetëm të krishterë, por edhe myslimanë”.
RTK-Radio: Keni botuar vëllimin e dytë me titull “Rebeli – Fan Noli”. Pse merreni në këtë kohë me Fan Nolin?
Ilir Ikonomi: Ky është një rrjedhim i natyrshëm i librit të parë. Kam shkruar librin e parë “Apostulli”, që merret me Fan Nolin gjatë kohës që ai ishte në Amerikë, nga viti 1906 deri më 1920. Libri i dytë vjen natyrshëm nga viti 1920 deri më 1924. Nuk është diçka e rastësishme. Rrjedha e ngjarjeve është e tillë që unë duhet ta trajtoja këtë periudhë. Pastaj, do ta kem një libër tjetër, që do ta trajtojë periudhën e fundit të jetës së Fan Nolit.
RTK-Radio: Pse e keni zgjedhur pikërisht këtë figurë kombëtare?
Ilir Ikonomi: Fan Noli është një figurë shumë e rëndësishme për shqiptarët. Ka qenë erudit i madh, ka dhënë disa kontribute me vlerë të jashtëzakonshme siç është themelimi i Kishës shqipe në Boston, tek shqiptarët e Amerikës. Shqiptarët e Amerikës në fillim të shekullit 20-të, vinin nga fshatrat shqiptare, ishin të paedukuar, të paarsimuar. Noli vendosi që duke krijuar një Kishë shqipe, t’i mblidhte të gjithë bashkë, jo vetëm të krishterë, por edhe myslimanë. Kjo ishte një nga veprat më të mëdha të tij. Pastaj, bëri edhe gjëra të tjera. Punoi në Ligën e Kombeve nga viti 1920 deri më 1921, e kështu me radhë. Është një figurë mjaftë e njohur për shqiptarët, por unë mendoj se kërkonte një trajtim më të hollësishëm, më në detaje. I hyra kësaj pune që është me të vërtetë një punë e madhe dhe nuk e dija a do t’ia dilja apo jo!
RTK-Radio: Keni hulumtuar nëpër arkiva të ndryshme nëpër vende të ndryshme. Çka keni gjetur nëpër këto arkiva që nuk është ditur deri tani në opinionin shqiptar për Fan Nolin?
Ilir Ikonomi: Kam hulumtuar shumë për librin e parë, por edhe për të dytin. Në arkivin italian për librin e parë, e për të dytin më shumë në arkivat britanike. Ka pasur gjëra të ditura, të zbuluara dhe më parë, por ka dhe gjëra të reja që unë i trajtoj. Janë detaje të ndryshme që janë si margaritarët e vegjël të shpërndarë në libër. Nuk mund të thuash se ka një gjë të madhe, tektonike, por janë detaje të vogla që unë i vlerësoj shumë e që dua t’ia jap lexuesve. Kam hulumtuar për librin e parë më shumë arkivin austriak, që ka qenë krejtësisht i pa studiuar, tek i dyti arkivin italian, britanik, Arkivin Qendror të Shqipërisë, e kështu me radhë. Janë shumë arkiva. Gjithashtu, është një bibliotekë dhe arkiv i Nolit në Kishën e “Shën Gjergjit”, në Boston. Deri tani kam shkuar tri herë radhazi, por do të shkojë edhe herë të tjera për të parë sepse ka një volum të madh letrash të Fan Nolit.
RTK-Radio: A janë këto letra dorëshkrime?
Ilir Ikonomi: Ka dorëshkrime, por ka edhe letra që ose Fan Noli iu ka dërguar të tjerëve dhe i ka ruajtur kopjet e letrave, ose të tjerët i kanë dërguar atij, të cilat janë gjithashtu të rëndësishme. Një biografi i duhet çdo gjë sepse në çdo letër ka elementë, qoftë edhe të vegjël, që të zbulon diçka, datën se kur ndodhi kjo e detaje që mua më pëlqen shumë t’i lidh bashkë dhe të krijojë narrativen.
RTK-Radio: Keni punuar një kohë të gjatë në “Zëri i Amerikës”. Sa ju ka ndihmuar puna e gazetarit ta bëni gjithë këtë punë, sa ju ka hapur dyer nëpër këto arkiva, për të cilat thatë që ka dokumente që nuk janë zbuluar ende!
Ilir Ikonomi: Kam punuar përreth tri dekada për “Zëri i Amerikës”, në Uashington. Është një kohë e gjatë, por ajo që kam marrë unë, kryesorja është mënyra e të raportuarit, gazetaria e vërtetë që i themi ne. “Zëri i Amerikës”, e bazon gazetarinë në parimet më të mira amerikane, siç janë objektiviteti, që është kryesorja dhe është balanca. Faktet duhet të jenë të balancuara, jo të mbash anën e këtij apo tjetrit. Kjo ka qenë një eksperiencë që më ka ndihmuar drejtpërdrejt për t’i shkruar këto libra. Të shkruash libra të tillë është njëlloj sikur të bësh gazetari në fakt. Hulumton, pastaj fillon e tregon atë që ke hulumtuar. Më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë dhe kam qenë me fat që kam punuar aty.
RTK-Radio: Thatë që do ta shkruani dhe pjesën e tretë për Fan Nolin që ta përmbyllësh ciklin për të. Cilin personalitet shqiptar e keni në plan pas Nolit?
Ilir Ikonomi: Jam i sigurt që do të ketë dhe diçka tjetër, por ende nuk e di sepse më duhet dhe dy vjet për ta bërë librin e fundit për Fan Nolin dhe gjatë dy vjetëve idetë ndryshojnë. Mund të më lind një ide e re dhe kush e di!
RTK-Radio: Çfarë mendoni për gazetarinë që po bëhet sot në Kosovë, Shqipëri dhe mbarë botën shqiptare, duke pasur parasysh sistemin jetësor që ka ndryshuar?
Ilir Ikonomi: Është një gazetari që e informon popullin, por shumë të vërteta nuk thuhen, nuk është transparencë e plotë. Ne kemi nevojë për transparencë të plotë, por kjo është e vështirë të arrihet kur gazetarët luftojnë standardet ekonomike, kur pronarët e medieve i detyrojnë të bëjnë kështu ose ashtu, dhe ata vetë censurohen. Por, shpëtimi ekziston. Ata duhet të mësojnë më shumë nga gazetaria perëndimore.
RTK-Radio: Çfarë duhet bërë?
Ilir Ikonomi: Është thjeshtë në ndërgjegjen e njerëzve. Gazetari duhet të jetë i ndershëm me vetveten, duhet të jetë i ndershëm për atë që raporton, dhe siç thashë, duhet të mësojë nga gazetaria perëndimore. Ne jemi në kontakt se si raportojnë mediet perëndimore. Sot janë mediet sociale që na vënë në kontakt me këtë gjë. Prandaj, mundësitë janë, por puna është që në praktikë të zbatohet kjo gjë.
RTK-Radio: Një porosi për lexuesit në Kosovë?
Ilir Ikonomi: Mendoj se Kosova lexon shumë dhe kam përshtypjen që në Shqipëri ka një rënie më të madhe të leximit se sa në Kosovë. Kosova ka një traditë më të gjatë të të shtypurit të librave me cilësi të lartë, librat për figurat e popullit shqiptar. Mbaj mend që në Prishtinë ka pasur traditë. Shkoj shpesh në Bibliotekën e Kongresit Amerikan dhe atje i gjej botimet e vjetra të Kosovës dhe gëzohem shumë sepse janë të pa censuruara. Ndërsa, në Shqipëri, të njëjtat gjëra janë censuruar. Botimet për Nolin, aty ka një seri dhe unë i kam parë ato, ndërsa në Shqipëri ato censuroheshin, hiqeshin pjesë që na dukeshin ideologjikisht jo të përshtatshme. Këto të Kosovës janë të plota, ashtu siç ishin. Interesant!























