Krasniqi e Peci: Sulmi me granatë, akt i papranueshëm i dhunës dhe terrorit
Sh.Ç /RTKlive
(E plotësuar) Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe kryetari i Zveçanit, Ilir Peci e kanë dënuar sulmin me granatë dore në ndërtesën e kësaj komune që ndodhi mbrëmë. Ata e kanë quajtur akt të dhunës dhe të papranueshëm.
Ministri Krasniqi ka thënë se mbrëmë grupe kriminale kanë sulmuar me granatë dore Komunën e Zveçanit.
“Dënoj fuqishëm sulmin kriminal e qyqar ndaj objektit të Komunës së Zveçanit. Komunat e Republikës së Kosovës janë funksionale dhe të gatshme për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve të tyre, pa dallim. Sulmet e tilla nuk do të zbehin vendosmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të vendosur rendin dhe për të garantuar mirëqenien për të gjithë qytetarët tanë. Republika nuk zmbrapset”, ka shkruar ai në Facebook.
Edhe kryetari i Zveçanit, Ilir Peci e ka dënuar sulmin me granatë dore në ndërtesën e Komunës që ndodhi mbrëmë.
“Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:45, disa individë të paidentifikuar kanë kryer një sulm ndaj objektit të Komunës së Zveçanit me granata dore. Ky akt i dhunshëm ka shkaktuar dëme materiale, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar”, ka shkruar Peci në Facebook.
Ai ka thënë se si kryetar e dënon fuqishëm këtë akt.
“Si kryetar i Komunës, unë e dënoj fuqishëm këtë akt të papranueshëm të dhunës dhe terrorit ku para dy dite ka ndodhur i njëjti sulm në stacionin policor të Komunës së Zveçanit”, ka shkruar Peci.























