‘Rruga e çlirimit’ të Kosovës në emisionin ‘Gjurmë’
K. K. / RTKlive
Emisioni “Gjurmë” i RTK-së, dje, me rastin e festës së 28 nëntorit, ka transmetuar emisionin “Rruga e çlirimit”. Folës në këtë emision ishin disa figura të historisë kombëtare të Kosovës, të cilët kujtuan përpjekjet e veta dhe të bashkëveprimtarëve të Lëvizjes Popullore të Kosovës për çlirimin e saj dhe të disa ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gafurr Elshani në emisionin “Gjurmë” të RTK-së tha se Kosova ka qenë e pushtuar e pushtimi ka qenë i egër. Sipas tij, në ato vite të rënda mjetet politike për çlirim u shterën dhe rrethanat për ndryshim u imponuan.
Veprimtari Emrush Xhemajli theksoi se kur kanë shpërthyer demonstratat e vitit ’81, reagimi i Jugosllavisë ishte aq ekstrem, brutal e i palogjikshëm saqë populli e kuptoi se nuk ka vend brenda Jugosllavisë dhe se me luftë mund të shkëputej prej Serbisë.
Ramadan Avdiu, veprimtar i çështjes kombëtare tha se me krijimin e rrethanave të reja në ish-Jugosllavi, çështja e shqiptarëve injorohej plotësisht, “nuk merreshin parasysh kërkesat tona në raport me republikat e tjera jugosllave”. “Prandaj, kemi konsideruar se është domosdoshmëri e kohës ta ndërrojmë kursin dhe të fillojmë intensivisht të përgatitemi për luftë të armatosur”, tha ai në emisionin “Gjurmë” të RTK-së.
Për përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për liri, në emisionin “Gjurmë” foli edhe veprimtari Ali Ahmeti.
Ai tha se kemi pasur koncentrim te Shqipëria dhe aty e kemi gjetur ndihmën. “Nuk ishte e lehtë sepse Serbia ishte e ledhatuara e Evropës, e neve na konsideronin popull i pakënaqur brenda Jugosllavisë. Për shembull, kur kërkova herën e parë në vitin ’86 azil politik, nuk ma njohën, e këndej shokët e mi ishin të dënuar me nga 50 vjet burg”, kujtoi atë kohë Ahmeti.
Veprimtari Emrush Xhemajli tha se në vitin ’87 Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) ka caktuar një grup, fillimisht dy njerëz, Xhavit Halitin dhe Ali Ahmetin, për koordinim me kryesinë dhe kanë bërë veprime shumë të nevojshme për furnizim me armë të njerëzve në Kosovë.
Se si vepronte LPK-ja në atë kohë, tregoi Ramadan Avdiu: “Bërthama e organizimit e lëvizjes ka qenë te këshillat popullore dhe te këshillat e rretheve. Gjithmonë, çdo aksion që kemi bërë, jemi përpjekur ta mbulojmë edhe me armë”, tha ai. Gjithashtu ai theksoi se Lëvizja Popullore e Kosovës ka mbajtur çdo dy vjet mbledhje të përgjithshme. “Në vitin ’91 është mbajtur në Ujëmirë, ndërsa në vitin ’93 në Prishtinë. Paraprakisht kemi mbajtur një mbledhje konsultative dhe jemi koordinuar t’i mbështesim aksionet e armatosura dhe seriozisht kemi filluar të përgatitemi”, tregoi Avdiu.
Gafurr Elshani tha se në vitin 1992 ka hyrë në Kosovë dhe ka kontaktuar me anëtarët që kishin mbetur këtu. “Kemi mbajtur mbledhje me bazën e LPK-së që ka ekzistuar në Kosovë. Kemi ardhur në përfundim të mbajmë mbledhje të përgjithshme, program të ri, të bëhen organet e përgjithshme të LPK-së për ta ruajtur unitetin. Kemi mbajtur mbledhje konsultative edhe në Maqedoni”, bëri me dije Elshani.
Organizimet e ilegales së asaj kohe ishin vazhdimisht nën kërcënimin e zbulimit të pushtetit. Jo rrallë kishte pasur arrestime të veprimtarëve, madje edhe qëndresë heroike të tyre. Pothuajse pas çdo mbledhje të mbajtur të LPK-së ka pasur vështirësi të organizimit saj, pasi që veprimtarët arrestoheshin e disa të tjerë shpalleshin në kërkim. Kështu që, meqë funksionimi i LPK-së ishte i vështirë në Kosovë, disa veprimtarë të saj kaluan jashtë vendit. Të gjitha arrestimet e njerëzve që i bënte pushteti serb, i bënte për ta dëmtuar Lëvizjen Popullore, mirëpo “udhëheqja gjithmonë ka funksionuar dhe jemi munduar ta përtërijmë me njerëz të tjerë”, tha Elshani.
Elshani, Ahmeti, Xhemajli, Avdiu në emisionin “Gjurmë” folën edhe për komunikatën numër 11. Gafurr Elshani tha se ajo i takon mbledhjes së 17 nëntorit të vitit ’94. “Kemi diskutuar për komunikatën dhe skicën dhe kemi marrë vendim që komunikata me qenë e përmbajtjes ushtarake, jo politike”, e kujtoi ai atë ditë. Ndërkaq veprimtari Ramadan Avdiu tha se, pas marrjes së propozimeve nga strukturat e njësiteve guerile të armatosura atëkohë në Kosovë dhe pas koordinimit me to dhe pas konsolidimit të Shtabit Qendror, është lëshuar komunikata me numër 11 dhe është vendosur që njësitet të bashkoheshin dhe ato të quheshin Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Elshani tregoi se Ali Ahmeti e ka marrë përsipër të blejë një makinë shtypi të vjetër “sepse s’kemi dashur ta shtypim komunikatën me kompjuter”, ndërsa Ali Ahmeti tregoi se, pasi është botuar ajo komunikatë, makinën e shkrimit e ka hedhur në lumin e Lucernit për t’i humbur gjurmët e saj.
Emrush Xhemajli kujtoi se ajo komunikatë ka mbajtur numrin 11 sepse në atë periudhë kohore ka pasur 11 aksione të armatosura.
Komunikata numër 11, kujtojnë veprimtarët, është botuar në disa medie pa asnjë simbol. Jehona e saj, sipas tyre, ishte e madhe. Ndërkohë, në bashkëpunim edhe me veprimtarë të tjerë, ata ideuan edhe emblemën e UÇK-së, dizajnin e së cilës ia besuan veprimtarit Adnan Asllani.
Se si ndihen sot për gjithë kontributin e dhënë për çlirimin e Kosovës, Elshani tha se “jemi krenarë për atë që kemi bërë si organizatë, si Lëvizje Popullore, pa të cilën nuk do ta fitonim lirinë që e kemi”.
Ndërkaq Ramadan Avdiu tha se UÇK-ja është produkt të cilin e ka krijuar LPK-ja, mirëpo në radhët e saj janë përfshirë të gjitha shtresat e popullsisë dhe të partive politike.
Emrush Xhemajli tha se populli ynë duhet të ndihet krenar që kemi treguar aftësi ta bëjmë pavarësinë e vendit, ta çlirojmë vendin me miq dhe sakrifica të shumta.
Edhe Ali Ahmeti tha se LPK-ja i ka meritat historike për organizimin që ka pasur me grupet e armatosura që, ndërkohë, u shndërruan në njësi guerile dhe UÇK.
Emisionin e plotë mund ta ndiqni më poshtë:























