Osmani priti në takim ambasadorë të shteteve të QUINT-it dhe atë të BE-së
N.M. /RTKlive
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim, ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe ambasadorin e BE-së, për të diskutuar zhvillimet e fundit në vend, pas sulmit të fundit terrorist në infrastrukturën jetike të Kosovës.
Bëhet e ditur se gjatë takimit, Osmani ka potencuar cenimin që i është bërë sigurisë kombëtare të Kosovës përmes sulmeve në infrastrukturën vitale.
“Në takim u diskutua për reagimin e institucioneve përgjegjëse karshi kësaj situate, me ç’rast si Presidentja Osmani, sikurse edhe ambasadorët kanë bërë vlerësimin më të lartë për menaxhimin dhe punën e bërë”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Presidencës.
Mew këtë rast, presidentja Osmani ka thënë se sulmet sikurse ky i fundit synojnë jo vetëm destabilizimin e Kosovës, por paraqesin rrezik serioz për stabilitetin e gjithë rajonit.
“Presidentja Osmani i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta dënojë këtë sulm terrorist dhe të qëndrojë e bashkuar kundër çdo përpjekjeje për të minuar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Po ashtu, ajo ritheksoi se parandalimi i sulmeve të tilla në të ardhmen duhet të jetë fokusi kryesor”, thuhet tutje në këtë njoftim.
Gjithashtu, bëhet e ditur se në vazhdim të ditës, presidentja Osmani do t'i takojë edhe institucionet e sigurisë në vend.























