Pas sulmit në Zubin Potok, vërehen forca të shtuara të sigurisë|Video
Edina Avdiu/ RTK
Një ditë pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, punimet vazhdonin për ndaljen e rrjedhës së ujit dhe për të sanuar dëmin e shkaktuar nga shpërthimi. Aty u vendosën 6 tuba me të cilët u mundësua furnizimi me ujë i KEK-ut nga ky kanal.
Në vendin e ngjarjes doli edhe kryeministri Albin Kurti, i cili konfirmoi se lidhur me sulmin ka të arrestuar. Kreu i ekzekutivit para medieve ka thënë se policia ka kryer bastisje, ka edhe arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminelë e terroristë do të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës demokratike e të pavarur të Kosovës.
Pas shpërthimit Kurti u shpreh se shteti ynë është i vendosur dhe i përgatitur për t’i mbrojtur qytetarët e tij dhe infrastrukturën kritike.
Kryeministri Kurti, pas shpërthimit në kanalin e ujit Ibër-Lepenc, në Zubin Potok, ka thënë po bëhet një punë e jashtëzakonshme dhe përgatitje e lartë e institucioneve tona, të cilat në kohë rekord sanuan në masë të madhe dëmin e shkaktuar atje.
“Nga ky sulm terrorist e kriminal që ka dëmtuar strukturën kritike, me qenë se ka dëmtuar rënd edhe prodhimin e energjisë elektrike edhe furnizimin me ujë. Duke ju falënderuar punën vetëmohuese të policëve, të inxhinierëve të ekspertëve, të punëtorëve kemi arritur që, deri diku, ta sanojmë dëmin, ndonëse jemi diku diç më shumë se çereku i prurjeve normale të ujit nëpërmjet kanalit Ibër-Lepenc, i cili bën edhe ftohjen e termoelektranave në Obiliq edhe furnizimin me ujë të qytetarëve të shumë komunave përfshirë edhe një pjesë të Prishtinës”, tha Kurti.
Kryeshefi ekzekutiv i Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka, tha se varësisht prej kushteve atmosferike do të bëjnë të mundshëm edhe furnizimin e ujësjellësve regjionalë.
Në vendngjarje doli sërish kryetari i Zubin Potokut për të parë nga afër dëmet që iu shkaktuan banorëve në shtëpitë përreth.
E gjithë situata gjatë ditës u monitorua nga forca të shtuara të misionit paqeruajtës të KFOR-it, nga Policia e Kosovës dhe EULEX-i.























