BDI reagon pas djegieve të dyqaneve në Kumanovë, akuzon Qeverinë
N.M. /RTKlive
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar pas ngjarjes që ka ndodhur mbrëmë në Kumanovë, ku disa makina dhe një dyqan të shqiptarëve janë djegur.
“Ngjarjet e rënda që ndodhën mbrëmë në Kumanovë, ku disa makina dhe një dyqan të shqiptarëve u dogjën, janë dëshmi e hidhur e frymës së urrejtjes dhe ndasive ndëretnike që kjo qeveri jolegjitime ka krijuar. Kjo nuk është më vetëm papërgjegjshmëri apo dështim - kjo është një krizë e rrezikshme që po përkeqësohet çdo ditë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas kësaj partie, kur qeveria nuk arrin të garantojë sigurinë e qytetarëve të saj dhe kur institucionet heshtin përpara veprimeve të tilla të urrejtjes, mesazhi që dërgohet është i qartë: “shqiptarët në këtë vend janë të lënë në mëshirën e fatit. Kjo qasje nuk është vetëm diskriminuese, por edhe thellësisht destabilizuese për të gjithë shoqërinë”.
Bashkimi Demokratik për Integrim bën thirrje për ndërhyrje “urgjente nga faktori ndërkombëtar. “Qartë është bërë e ditur se nga kjo qeveri e verbuar dhe e njëanshme nuk mund të presim as drejtësi dhe as përgjegjësi. Vetëm një presion ndërkombëtar mund të ndalojë këtë spirale të rrezikshme të dhunës dhe urrejtjes, e cila po kërcënon paqen dhe stabilitetin në vend”, thuhet pos tjerash në këtë reagim.























