Vazhdojnë hetimet për sulmin në Ibër-Lepenc, ndalohet edhe një i dyshuar
M.M. /RTKlive
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik lidhur me rastin e ndodhur më 29 nëntor 2024 në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potok-ut, respektivisht në pjesën e kanalit të “Ibër Lepencit’, dhe se më 30 nëntor 2024, Policia e Kosovës, në koordinim me prokurorin special, nga Prokuroria Speciale, ka kryer disa kontrolle në lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë të ndryshme dhe pajisje tjera.
Në një njoftim për medie, Prokuroria Speciale e Kosovës bën të ditur se në stacionin policor janë shoqëruar 10 persona të dyshuar për veprat penale: “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve Publike”, nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, nga neni 129 par. 1 dhe neni 128 par 1 nën par. 1.8 të KPRK-së, “Mbajtja në pronësi kontrolle ose posedim të pa autorizuar të armëve” nga neni 366 par 2 lidhur me par. 1 të KPRK-së.
“Me vendim të prokurorit dy prej tyre, me inicialet D.V. dhe D.M. nga komuniteti serb, janë ndaluar ku për personin D.V. është parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit dhe masa e paraburgimit është caktuar nga Gjykata për 1 muaj, kurse i dyshuari D.M nga Prokuroria është liruar në procedurë të rregullt. Ndërkaq më 1 dhjetor 2024, me vendim te prokurorit është ndaluar edhe i dyshuari J.V nga komuniteti serb, i cili ishte në kërkim lidhur me këtë vepër penale. Në shtëpinë e të njëjtit është kryer kontroll, ku janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm i armëve dhe pajisjeve tjera”, thuhet në njoftim.
Veprimet hetimore për këtë rast janë duke vazhduar.























