Bashota në Speciale: Kishte vështirësi për pranimin e Rambujesë
Donika Sherifi /RTK
(E plotësuar, 14:00) Me deklaratë për marrëveshjen e Rambujesë, Sokol Bashota nisi dëshminë e sotme para Dhomave të Specializuara në Hagë. Në ditën e tretë të dëshmisë, ai tha se kishte disa vështirësi për pranimin e marrëveshjes së Rambujesë nga komandantët e zonave gjatë luftës.
“Çfarë vështirësish kishte pranimi i kësaj marrëveshje sa i takon kushteve që kishte aty? pyeti Luka Misetiq, avokat i Hashim Thaçit.
“Gjatë kohës së negociatave për shkuarjen në Rambuje, ka pasur zëra të atillë të cilët nuk kanë besuar shumë në këtë konferencë dhe kjo i është transmetuar edhe disa komandantëve të zonave dhe kryesisht për këtë ka shfaqur këtë hezitim zoti Adem Demaçi, i cili ka diskutuar edhe me komandant e zonave që Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së nuk duhet të pranojë një vendim për shkuarjen në Rambuje për arsye se nuk do të dal diçka e favorshme për Kosovën”, u përgjigj Bashota.
Më pas avokati Misetiq e pyeti nëse i kujtohet ndonjë prej komandantëve të zonave që ishin kundër Rambujesë.
“Po, po nuk e di saktë sa kanë qenë kundër, po e di që më duket Remi ka qenë kundër, Shukri Buja ka qenë kundër, të tjerët s’po më kujtohet, por e di që kanë qenë kundër shkuarjes në Rambuje”, tha ai.
Bashota tutje tha se Demaçi kishte ndikim te komandantët e zonave.
Pse thoni se ka pas autoritet të pakontestueshëm mbi komandantët e zonave? pyeti avokati, teksa Bashota u përgjigj:
“Sepse komandantët e zonave shpesh kërkonin që Demaçi të jetë prezent në takimet tona me komandantët e zonave. Ata kanë kërkuar me këmbëngulje me qenë aty”, tha ai.
Pas Misetiq, Bashota iu përgjigj pyetjeve të mbrojtjes së Veselit.
A ju kujtohet që ta keni ditur që zoti Veseli ka qenë një prej personave që ka shkuar në Rambuje për të marrë pjesë në negociata atje? pyeti Rodney Dixon, avokat i Kadri Veselit.
“Në Rambuje kam dëgjuar por sdi nga kush më është thënë, po e di që është përmend që është edhe Veseli është atje, po me sa e mbaj mend nuk ka qenë i caktuar të shkojë nga Shtabi i Përgjithshëm, në çfarë forme ka shkuar nuk e di me kënd është konsultuar”, tha Bashota.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së vazhdon edhe të mërkurën.
Sokol Bashota pyetet rreth Rambujesë në Speciale
(E plotësuar, ora 11:00) Sokol Bashota po vazhdon për të tretën ditë me radhë dëshminë në Dhomat e Specializuara në Hagë për rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai iu përgjigj pyetjeve të mbrojtjes së Hashim Thaçit ,avokatit Luka Misetiq për marrëveshjen e Rambujesë.
Për këtë, Bashota tha se kjo marrëveshje u pranua pavarësisht vështirësive që u hasën. Ai u pyet se çfarë vështirësi kishte për këtë marrëveshje.
Sipas Bashotës, Adem Demaçi kishte hezituar për këtë marrëveshje dhe kishte diskutuar edhe me komandantët e zonave se nuk duhet pranuar për të shkuar në Rambuje, pasi sipas tij, do të dilte diçka e pafavorshme për Kosovën.
“Demaçi kishte thënë se nuk ka diçka të mirë nga kjo konferencë”, tha Bashota.
Pas pyetjeve të Misetiq, seanca po vazhdon me pyetjet e mbrojtjes së Kadri Veselit, avokatit Rodney Dixon, i cili e pyeti për qëndrimet LPK-së gjatë luftës.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sipas kalendarit sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sokol Bashota dëshmitari i 109-të, edhe sot pritet të vazhdojë dëshminë në Speciale. Dëshmia e tij pritet të zgjasë për disa ditë.
Ndryshe dje në pyetjet e Prokurorisë, Bashota foli për rolin e Kadri Veselit në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së për të cilin tha se nuk e dinte nëse kishte ndonjë zëvendës.
Po ashtu, Bashota u pyet për komunikimin me ndërkombëtarët gjatë luftës në Kosovë, për çka tha se këtë e bënte ai, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi dhe Ramë Buja. Tutje, Bashotës iu prezantua edhe dëshmia që i kishte dhënë Tribunalit të Hagës vite më parë.























