Personat me aftësi të kufizuara në Kosovë vazhdojnë të përballen me sfida
BKT
Foto| HANDIKOS në `Facebook`
Lajme

Personat me aftësi të kufizuara në Kosovë vazhdojnë të përballen me sfida

Ardiana Hajzeri| RTK-Radio

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, në Kosovë këta persona vazhdojnë të përballen më sfida të shumta. Njëra ndër to është mungesa e infrastrukturës së nevojshme, që si pasojë e kësaj nuk arrijnë të marrin shërbimet e nevojshme. Drejtues të organizatave për personat me aftësi të kufizuara kanë bërë të ditur se gati në të gjitha objektet nuk ka infrastrukturë të përshtatshme dhe se faji për këtë bie mbi nivelin komunal.

Sabina Lloqani lëviz me karrocë për shkak të aftësisë së kufizuar. Ajo jeton e vetme dhe e ka të vështirë të dalë nga banesa kur ka nevojë. Aty mungon ashensori dhe kjo e bën më të vështirë jetën e saj. Lloqani, tregon për Radio Kosovën për sfidat me të cilat përballet çdo ditë për shkak të mungesës së infrastrukturës së përshtatshme.

“Sa i përket infrastrukturës gjendja është shumë e keqe. Në objekte banesore nuk qasje në lift. Si pasojë e kësaj personat më aftësi të kufizuara, e veçanërisht ata në karrocë, nuk mund të dalin për të marrë shërbimet e nevojshme. Gjendja është e tmerrshme. Në disa ndërtesa nuk fare ashensor, e në disa të tjera nuk funksionojnë”, tha ajo për Radio Kosovën.

Drejtori i shoqatës “HANDIKOS”, Afrim Maliqi, i tha Radio Kosovës së personat me aftësi të kufizuara përballen me mungesë të infrastrukturës se përshtatshme dhe për këtë fajëson nivelin komunal.

“Nuk ka kushte infrastrukturore të duhura në përgjithësi dhe se kjo është kompetencë ekskluzivisht e institucioneve lokale. Faji kryesor është i Departamentit të Urbanizimit në nivelin komunal të vendit.  Lëshimet ndodhin jo vetëm në ndërtimin e objekteve, por ndodhin edhe në rrugë dhe mund të themi në ndërtimin e infrastrukturës së përgjithshme”, tha Maliqi.

Në lidhje me këtë çështje, drejtori i Shërbimeve Publike në komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, foli për Radio Kosovën për hapat që kanë ndërmarrë për përmirësimin e infrastrukturës për personat me aftësi të kufizuara.

“Kemi krijuar një grup punues i cili është duke e trajtuar këtë problematike. Jemi duke bërë maksimumin që se paku aty ka ndërhyrje të reja të mendohet në këtë segment, por natyrisht edhe aty ku ka mundësi të krijojmë qasje për të gjithë”, tha Brestovci.

Drejtuesit e “Hendikosit” thonë se personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të mbesin një ndër kategoritë më të diskriminuara në Kosovë. Sipas tyre, këtyre personave vazhdojnë t’u shkelen të drejtat elementare të garantuara me ligj.


MË SHUME NGA Lajme