‘Libër për mendimin e ri politik’
A.V| RTK-Radio
Botuesi nga Prishtina ‘Artini’, sapo e ka nxjerr nga botimi librin “Linja politike, diplomatike dhe shtetformuese”, nga diplomati dhe publicisti i mirënjohur, Imer Lladrovci.
Ky libër përmbledh paraqitjet e ndryshme publike të autorit Lladrovci, si: kumtesa, intervista, shkrime autoriale, fjalime etj., të cilat trajtojnë probleme kritike të shoqërisë sonë politike. Një pjesë të këtyre shkrimeve autori i ka mbajtur si fjalime në cilësinë e aktivistit politik, kurse një pjesë tjetër si diplomat i Republikës së Kosovës.
“Ideja për ta shkruar këtë libër së pari lidhet me domosdonë arkivimit të kujtesës kombëtare - pjesë e së cilës, me kontributin tim, pretendoj se jam tash më se 30 vjet, dhe, së dyti, me mundësinë e zgjerimit të rrethit të atyre që bien në kontakt me idetë dhe mendimet e mia, si autor i mendimit politik e publicistik shqiptar”, ka shkruar Lladrovci, në parafjalën e këtij botimi.
Recensenti, Bajram Kosumi, duke e vlerësuar mendimin politik e publicistik të autorit Lladrovci, e ka vlerësuar librin e tij “një kontribut për mendimin e ri politik”.
“Ky libër është një kontribut për mendimin e ri politik shqiptar, veçanërisht në Kosovë, dhe si i tillë, paraqet interes, si për lexuesin e zakonshëm, ashtu edhe për studiuesit e mendimit politik shqiptar gjatë shekullit XX”, ka shkruar mes tjerash, Bajram Kosumi.
Ndërkaq, recensenti tjetër, Arben Fetoshi, në vlerësimin tij ka shkruar se, libri “Linja politike, diplomatike dhe shtetformuese”, “nxit diskutime kritike për çështje shqetësuese të shoqërisë dhe shtetit”.
“Duke eksploruar ngjarjet dhe momentet më të rëndësishme historike në një koleksion të pasur me artikuj, fjalime, intervista e deklarata publike, autori ravijëzon linjat kryesore të triumfit dhe të sfidave në procesin e shtetformimit të Kosovës”, ka shkruar Fetoshi.
Autori, Imer Lladrovci, ka botuar një numër të konsiderueshëm shkrimesh analitike, me tematikë politike, në shtypin shqiptar dhe atë gjermanofon. Ai ka bërë karrierë diplomatike fillimisht si zëvendëskonsull, këshilltar, e më vonë edhe i udhëheqës i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Shtuttgart (2018-2022). Lladrovci, po ashtu, ka mbajtur edhe postin e Konsullit dhe të Udhëheqësit të Shërbimit konsullor në Vjenë (2013-2018), atë të zëvendëskonsullit në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Shtuttgart (2009- 2013) etj. 























