Shala:MASHTI s`ka treguar interesim për të trajtuar kërkesat tona
Sh.G / RTKlive
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste para Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë së Kosovës. Ky veprim vjen si reagim ndaj zvarritjes së vazhdueshme të kërkesave të tyre, të cilat sindikata i konsideron të drejta.
Nënkryetarja e SBASHK, Vjollca Shala, në një intervistë për programin e mëngjesit në RTK, ka shpjeguar se Këshilli Drejtues i sindikatës, organi më i lartë vendimmarrës mes kongreseve, ka vendosur për nisjen e veprimeve sindikale. Kjo ka ardhur pasi, sipas saj, Ministria e Arsimit nuk ka treguar interesim për të trajtuar kërkesat e tyre.
“Ndonëse kemi dërguar shumë shkresa dhe emaila për të adresuar kërkesat tona, reagimi ka qenë i pamjaftueshëm. Edhe gjatë një takimi të fundit me ministren e Arsimit, nuk kemi pasur mundësi të diskutojmë në detaje për kërkesat tona,” theksoi Shala.
Protesta do të përfshijë kryetarët e sindikatave të shkollave, përfaqësuesit e niveleve komunale dhe kryesinë e SBASHK. Qëllimi i protestës është që institucionet t'i trajtojnë kërkesat e anëtarësisë së sindikatës.























