Mbrojtja e Veselit: Prokuroria po e cilëson dëshmitarin të anshëm
BKT
Gjykata Speciale

Mbrojtja e Veselit: Prokuroria po e cilëson dëshmitarin të anshëm

Donika Sherifi / RTK

Me gjyqin po vazhdojnë të përballen ish-krerët e UÇK-së, por për krime të pretenduara lufte. Dëshmitari Sokol Bashota ka vazhduar dëshminë për ditën e katërt para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Atij iu prezantuan nga prokuroria disa deklarata që i kishte dhënë vite më parë për Tribunalin e Hagës. Për këtë reagoi mbrojtja e Veselit e cila e kritikoi Prokurorinë se po e cilëson dëshmitarin të anshëm dhe jo të besueshëm.

Seanca e sotme u shoqërua me momente të pazakonta kur ish-president Thaçi ngriti dorën edhe u ngrit në këmbë ku kërkoi të konsultohej me avokatët e tij.

Me një vendim për intervistimin e dëshmitarëve, nisi seanca e sotme gjyqësore në rastin ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 “Trupi gjykues urdhëron si më poshtë: dëshmitarët e mbrojtësit të viktimave do të thirren pasi të përfundojnë dëshmitarët e ZPS-së dhe pasi të nxirren parashtrimet, argumentet dhe vendimi që ka të bëjë me parashikimet e rregullit 130, dhe përpara se të fillojnë dëshmitarët e mbrojtjes?”, .

Pas kësaj, vazhdoi dëshminë Sokol Bashota, i cili u pyet nga prokuroria për intervistën që i kishte dhënë Tribunalit të Hagës në vitin 2006 lidhur me pretendimet për vrasjen e bashkëpunëtorëve serbë.

 “Pse nuk thatë gjatë pesë orëve që ju bëra pyetje dhe ju bëra edhe shumë pyetje për dëshminë që keni dhënë për TPNJ-në për bashkëpunëtorët, pse nuk thatë që situatat janë thjesht hipotetike?”, ka pyetur prokurori Matt Hallig.

 “Nuk janë të gjitha situatat hipotetike në atë deklaratë, por pjesë të asaj pyetjeve dhe përgjigjeve kanë qenë hipotetike. Nuk ma parashtruat atë pyetje nëse kanë qenë ose jo gjatë atyre pesë orëve, prandaj edhe unë ka mundësi që nuk më ka shkuar ndërmend që mundem me e thanë atë?, është përgjigjur dëshmitari Sokol Bashota.

“Ajo që i keni thënë mbrojtjes së Thaçit më 2022 për situatën me bashkëpunëtorët, që ishte thjesht hipotetike, a mos ishte diçka që Thaçi donte t`ia thoshit ekipit të tij të mbrojtjes?”, ka pyetur tutje prokurori Matt Hallig.

 “Në ekipin e mbrojtjes së Thaçit e kuptoj si pjesë përbërëse të kësaj gjykate dhe nuk kom menduar që duhet me tregu se kom diskutuar edhe me të. Ja kom bo një pyetje mbrojtjes së Thaçit kur më kanë ftua nëse kjo është brenda kuadrit ligjor të kësaj gjykate dhe mund t’iu përgjigjem ma thoni ju, ata më kanë dhënë garanci që mundesh me fol çka din?”, ka thënë Bashota.

Pikërisht kjo situatë e nxiti mbrojtjen e Kadri Veselit, Rodney Dixon, të thotë se prokuroria po e cilëson dëshmitarin të anshëm.

 “A keni ardhur këtu në gjykatë për të qenë dëshmitar i anshëm dhe për të dhënë dëshmi në favor të ndonjë të akuzuari, pavarësisht si ka qenë e vërteta?”, ka pyetur Dixon.

Dëshmitari Sokol Bashota, është përgjigjur se “Unë jam shumë i vetëdijshëm për përgjegjësitë e mia juridike dhe penale dhe absolut nuk kam ardhur këtu me e mbrojt asnjë kauzë pos të vërtetës dhe vetëm të vërtetës, konform betimit që kam dhënë”.

Dëshmitari tutje foli për komunikatat e lëshuara nga UÇK-ja gjatë luftës, për të cilat tha se ai nuk e kishte shkruar asnjë prej tyre. Seanca vazhdon të enjten.


MË SHUME NGA Gjykata Speciale