Gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve rinis pas pushimit dimëror
BKT
Foto arkiv/ RTKlive
Gjykata Speciale

Gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve rinis pas pushimit dimëror

V.Thaçi / RTKlive

(E plotësuar, ora 14.45) Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit W01225, gjykimi në çështjen Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi përfundoi për ditën e sotme dhe për këtë javë. Gjykimi do të rinis pas pushimit dimëror, më 13 janar 2025.

 

Përfundon dëshminë Sokol Bashota në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Ndryshe në seancën e sotme dëshmitari Bashota deklaroi se Thaçi nuk ishte në gjendje të lëshojë urdhra për zonat. Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Christoph Barthe, ai tha se drejtori i Drejtorisë Politike s’e ka pasur këtë mundësi.

“Drejtori i Drejtorisë Politike nuk ka mundur me lëshuar urdhra për veprime ushtarake apo për zonat. Ky ka qenë drejtor i Drejtorisë Politike. Mbi bazën e kësaj”, tha Bashota.

Sipas Bashotes, kjo kompetencë e urdhrave ushtarake për ushtarët nëpër zona ka qenë ekskluzivisht e Bislim Zyrapit.

“Ajo ka qenë kompetencë ekskluzive e Bislim Zyrapit, komunikimi me komandantët e zonave. Ka qenë shef i Shtabit prandaj, ka pasur autoritetin me i bë”, tha Bashota.

Ai tha se e ka fjalën për urdhrat që kanë të bëjnë me zonat për shkak se për ato, sipas tij, nuk ka pasur mundësi të ekzistojnë urdhra politik.

Bashota kishte thënë se Thaçi nuk ishte në gjendje të lëshonte urdhra as lidhur me persona të ndaluar.

Gjithashtu, ai tha se edhe si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme, nuk e di nëse Thaçi e ka pasur mundësinë të japë urdhra për ushtarët.

Vazhdon procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot po vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshmitari Sokol Bashota edhe sot vazhdon dëshminë në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Seanca e djeshme u shoqërua me momente të pazakonta kur ish-president Thaçi ngriti dorën edhe u ngrit në këmbë ku kërkoi të konsultohej me avokatët e tij.

Dëshmitari Bashota po ashtu foli edhe për komunikatat e lëshuara nga UÇK-ja gjatë luftës.

 


MË SHUME NGA Gjykata Speciale