Shërbimi Korrektues i Kosovës pranohet në rrjetin Evropian të Burgjeve
V.Thaçi / RTKlive
Hap historik dhe arritje të jashtëzakonshme për sistemin korrektues të Kosovës e ka vlerësuar Shërbimi Korrektues i Kosovës pranimin zyrtar si anëtar i rrjetit prestigjioz evropian të burgjeve EuroPris.
Lajmin për anëtarësim në Europris e ka bërë të ditur Shërbimi Korrektues, i cili njofton se sot, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka pranuar letrën zyrtare të konfirmimit për anëtarësimin.
Nga SHKK thonë se ky vendim shënon një pikë kthese për integrimin ndërkombëtar të Shërbimit Korrektues të Kosovës, duke përforcuar pozicionin e tij si një institucion modern dhe i përkushtuar për standardet evropiane në sistemin e drejtësisë dhe atë korrektues.
Në letrën e tij zyrtare, drejtori ekzekutiv i EuroPris, Gustav Tallving, ka deklaruar se ky anëtarësim ofron mundësi të reja për Kosovën, duke përfshirë, shkëmbimin e praktikave më të mira, ngritjen e kapaciteteve profesionale, si dhe avancimin e reformave në sistemin korrektues të Kosovës.
Tutje në në letrën zyrtare të Tallving është thënë se kjo arritje vjen si rezultat i punës dhe përkushtimit të palodhur të stafit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, si dhe mbështetjes së partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë.
Përveç anëtarësimit në EuroPris, Kosova është gjithashtu edhe anëtare e International Corrections and Prisons Association (ICPA), duke përforcuar edhe më tej rolin e saj në arenën ndërkombëtare të sistemit korrektues.
"Ky është një hap madhor drejt drejtësisë dhe integrimit të Kosovës në strukturat ndërkombëtare!", thuhet në letrë zyrtare të Drejtorit Ekzekutiv i EuroPris, Gustav Tallving.























