‘IOM’ në Kosovë: 25 vite shërbim për migracionin dhe ndihmën humanitare
BKT
Lajme

‘IOM’ në Kosovë: 25 vite shërbim për migracionin dhe ndihmën humanitare

Sh.G / RTKlive

Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) ka qenë e pranishme në Kosovë që nga viti 1999, kur nisi operacionet për të ndihmuar popullsinë e zhvendosur gjatë luftës. Në programin e mëngjesit në RTK, Anna Rostocka, drejtoreshë e IOM-it në Kosovë, ndau detaje rreth punës dhe ndikimit të kësaj organizate.

Ajo theksoi se gjatë viteve të para të veprimtarisë në Kosovë, IOM ka evakuuar mbi 83,000 persona, duke ofruar ushqim, strehim dhe ndihmë mjekësore. “Me kalimin e kohës, organizata jonë ka evoluar duke reflektuar nevojat në terren”, u shpreh Rostocka.

Në nivel global, IOM ka tre objektiva kryesore: Shpëtimin e jetëve – veçanërisht të personave në lëvizje, që shpesh rrezikojnë jetën; Mbrojtjen e të drejtave të migrantëve – si dhe ofrimin e zgjidhjeve për ata që janë të zhvendosur; si dhe promovimin e migrimit të rregullt – duke e lidhur atë me zhvillimin e qëndrueshëm.

Në Kosovë, këto objektiva përfshijnë ndihmën për migrantët që kalojnë, qëndrojnë ose lëvizin përmes vendit, si dhe për ata që janë ende të zhvendosur brenda ose jashtë Kosovës. Organizata synon t'i mbështesë ata në kthimin dhe rindërtimin e jetës së tyre.

“Edhe pse jam këtu prej katër vitesh, duhet të pranoj se nuk kam bërë aq sa duhet për të mësuar gjuhën shqipe”, tha ajo me modesti, duke shtuar se mikpritja e kosovarëve dhe përdorimi i anglishtes e kanë ndihmuar të përshtatet më lehtë.

IOM, e themeluar 73 vite më parë, është shndërruar në një aktor kyç në ndihmat humanitare dhe menaxhimin e migrimit në nivel global.


MË SHUME NGA Lajme