Kurti: Përballë sulmeve të Serbisë, Kosova më e sigurt se kurrë më parë
BKT
Lajme

Kurti: Përballë sulmeve të Serbisë, Kosova më e sigurt se kurrë më parë

M.M &A.B|RTKlive

(E plotësuar, ora 16:56) I nominuari për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje për zgjedhjet e 9 shkurtit, njëherësh kryeministër i tanishëm, Albin Kurti, para delegatëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Këshillin e Përgjithshëm, foli për qasjen agresive të Serbisë ndaj Kosovës.

Kurti foli edhe për sigurinë në vend, kundruall provokimeve të agresive nga Serbia. “Sa më të suksesshëm të tregohemi ne, aq më të dhunshëm tregohen ata”, tha Kurti, teksa shtoi se lista e veprimeve të kryera apo të sponzorizuara nga Serbia gjatë katër vjetëve të fundit është tejet e gjatë, derisa përmendi barrikadimin e rrugëve, sulmet e shtuara ndaj patrullave të policisë, protestat e dhunshme ndaj KFOR-it, kidnapimin e tre policëve nga territori i Kosovës, vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, heroi Afrim Bunjaku, deri te sulmi ndaj infrastrukturës kritike në Ibër-Lepenc.

“Përballë këtyre sulmeve ndaj Kosovë, ne kemi arritur ta bëjmë atë më të sigurt se kurrë më parë”, deklaroi Kurti.

Kryeministri Albin Kurti para delegatëve të Lëvizjes Vetëvendojse në Këshillin e Përgjithshëm tha se zgjedhjet e vitit 2025 do të jenë të veçanta, ngase, sipas tij, Kosova do të mbajë për herë të parë zgjedhje të rregullta parlamentare, pas një mandate të plotë katërvjeçarë, që dëshmon stabilitet institucional.

Tutje, Kurti evokoi sfidat me të cilat është përballur qeveria e drejtuar nga ai, duke përmendur pandeminë, krizën ekonomike në nivel botëror, mungesa në furnizim me energji elektrike, gjithashtu në nivel botëror, si dhe qasjen agresive të Serbisë ndaj Kosovës.

“Përballë këtyre krizave Kosova është me fat që përkrah ka pasur qeverinë e Lëvizjes Vetëvendosje”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se me qeverisjen e LVV-së është arritur të vihen themelet afatgjata për një shoqëri të bazuar në drejtësi, barazi e zhvillim.

Tutje, Kurti foli për të arriturat në sektorë të ndryshëm të qeverisë, si në shëndetësi, ekonomi, në arsim, etj.

Albin Kurti nominohet për kryeministër për zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025

(E plotësuar, ora 16:33) ) Albin Kurti është nominuar sot nga Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje si kandidat për kryeministër në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt 2025. Albin Kurti ishte kandidat i vetëm për kryeministër. Kurti u propozua nga Glauk Konjufca.

Konjufca: LVV ka sjellë një kulturë të re të qeverisjes

Para delegatëve të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, nënkryetari i kësaj partie, dhe njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se që nga pavarësia e vendit, kjo qeverisje ishte më e suksesshme për qytetarët dhe për Kosovën.

“Le ta mendojmë edhe një herë në qetësi dhe larg dezinformatave që për sovranitetin e Kosovës, për ushtrinë tonë për buxhetin tonë, për policinë tonë, për sigurinë tonë dhe për të gjithë sektorët vitalë e të jetës sonë institucionale, publike e shoqërore janë më mirë të organizuar sesa në vitin 2020 e më parë”, deklaroi Konjufca.

Duke folur për arritjet e kësaj qeverisjeje, Konjufca tha se LVV ka sjellë një kulturë të re të qeverisjes e cila nuk bën kompromise me shtetësinë, duke mbrojtur interesin shtetëror ashtu siç duhet dhe që lufton korrupsionin me çdo mjet.

Filloi mbledhja e KP të VV-së, Kurti pritet të nominohet për kryeministër

Në Prishtinë ka filluar mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ku pritet që Albin Kurti të nominohet si kandidat për kryeministër në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Kurti është kandidat i vetëm për kryeministër.


MË SHUME NGA Lajme