Kilaj e Kuçi deklarohen të pafajshëm
Donika Sherifi /RTK
(E plotësuar, 14:00) Ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj, dhe ish-ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, janë deklaruar të pafajshëm në paraqitjet e para të tyre para Speciales, në rastin ku bashkë me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-këshilltarin e Thaçit, Bashkim Smakaj dhe ish-pjesëtarin e UÇK-së Fadil Fazliu, po akuzohen për pengim të drejtësisë.
Me deklaratën se ndjehet plotësisht i pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohet, Isni Kilaj doli para trupit gjykues në Hagë.
Atij fillimisht iu lexua aktakuza me të cilën ngarkohet, sipas të cilës, Kilaj tentoi të pengonte personat zyrtarë, përkatësisht punonjësit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të bënin punën e tyre, nuk iu bind gjykatës dhe ndihmoi Hashim Thaçin.
Kryetarja e trupit gjykues i tha Kilajt se arrestimi i tij ishte i domosdoshëm pasi ekzistonte rreziku i arratisjes dhe përsëritja e veprave penale.
Avokati mbrojtës i Kilajt, Iain Edwards tha se klienti i tij e ka dëshmuar tërë kohën se është kandidat i mirë dhe i sigurt për lirimin me kusht para 13 muajsh kur ishte në sallën e gjyqit më 4 nëntor të vitit të kaluar. Avokati përmendi rastet kur Kilaj kishte respektuar vendimet e gjykatës dhe nuk kishte dal jashtë vendit pa lejen e institucioneve.
“Nuk po them që Kilaj meriton ta duatrokasim sepse respektoi kushtet, ai bëri çka gjykata e urdhëroi, atë që do të duhej të bënte çdo person, nuk po kërkoj t’i jepet meritë, por arsyeja është se pas 7 muajsh kjo gjykatë nuk mund të thotë se Kilaj është person i panjohur”, tha ai.
Avokati shtoi se Kilaj e dinte që do të vije dita kur do të ngritej aktakuza ndaj tij, siç edhe ndodhi ditë më parë.
Kuçi: Jam i pafajshëm, aktakuza prek dinjitetit tim njerëzor e profesional
(10:39) Ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat për pengim në administrim të drejtësisë nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ai ka thënë se dita e sotme është një prej momenteve më të errëta për të si njeri i drejtësisë, si profesor i drejtësisë, ish-zëvendëskryeministër e ish-ministër i Drejtësisë për disa mandate.
“Më lejoni të jem i qartë, unë nuk kam bërë asnjë vepër penale, jam i pafajshëm dhe kam besim të plotë se do të lirohem nga akuzat. Në aktakuzë jam me presidentin Hashim Thaçi, më lejoni të them se Hashimin e kam mik, njihemi vite të gjata, dhe kemi punuar gjatë. Gjatë tërë punës së bashku kemi punuar dhe udhëhequr mbi parimin e drejtësisë, respektimit të saj dhe kemi besuar në drejtësi”, tha Kuçi.
Aktakuzën e ngritur nga Prokuroria e Specializuar, Kuçi e quajti si prekje të dinjitetit të tij njerëzor, profesional dhe reputacionit të tij. Ai theksoi se nuk është takuar me dëshmitarë sa ishte pjesë e ekipit mbrojtës të Kadri Veselit.
“Edhe në kohën sa isha në ekipin mbrojtës, edhe atëherë kur kam pas mundësi që përmes ligjit dhe protokollit të kësaj gjykate të takohem me dëshmitarët, këtë të drejtë nuk e kam shfrytëzuar asnjëherë, çka mund të vërtetohet. Nuk kam dashur që të fitohet perceptim për ndonjë keqkuptim eventual”, shtoi Kuçi.
Ndërkohë, aktakuzën ndaj tij e lexoi sekretarja e gjykatës sipas së cilës, ekziston dyshimi i bazuar mirë që Hajredin Kuçi mban përgjegjësi penale sipas nenit 163 të ligjit për kryerjen e veprës penale të mosbindjes së gjykatës në pikën 19, sipas nenit 17 të kodit penal të Kosovës, marrëveshje për kryerje me Hashim Thaçin të veprës penale të mosbindjes ndaj gjykatës në pikën 18 të kodit penal të Kosovës.
E prokurori i specializuar tha se ka dyshime që Kuçi ka marrë detyrë nga Thaçi për të kontaktuar me dëshmitarët, mbi të cilën është ngritur aktakuza për mosbindje ndaj gjykatës.























