Morea Kasapolli talente e jashtëzakonshme, fituese e U12 në vallëzim modern
BKT
Kulturë

Morea Kasapolli talente e jashtëzakonshme, fituese e U12 në vallëzim modern

Albana Bajrami / RTK-Radio

Radio Kosova sjell një intervistë të veçantë me Morea Kasapollin, talente e jashtëzakonshme që fitoi vendin e parë në botë në kategorinë U12 për vallëzim modern.

Në Kampionatin Botëror të Vallëzimit Modern, të mbajtur në Kielce, Poloni, Morea dhe ekipi i Çekisë, triumfuan duke lënë pas shtete si Kanadaja dhe SHBA-ja.

Morea ndanë emocionet, sfidat dhe eksperiencën e saj nga ky triumf madhështor!

Radio Kosova: Si jeni ndjerë që nga të gjitha vendet konkurrente, ju e fituat çmimin e parë?

Morea Kasapolli: Jam ndjerë shumë e lumtur dhe e emocionuar, sepse konkurrenca ishte shumë e madhe për të garuar për këtë çmim dhe ne e fituam çmimin e parë në botë.

Radio Kosova: Me çfarë vallëzimi keni marrë pjesë?

Morea Kasapolli: Kemi marrë pjesë më vallëzimin modern dhe jazz.

Radio Kosova: Keni marrë pjesë në grup, apo ishe e vetme?

Morea Kasapolli: Në vallëzimin modern ishim 19 veta, ndërsa në vallëzimin jazz ishim 22 veta.

Radio Kosova:  Sa e vështirë është të merrni pjesë në një garë të tillë?

Morea Kasapolli: Vështirësitë janë të mëdha, sepse edhe konkurrenca është e madhe. Kanë marrë pjesë mbi 30 shtete të botës në këtë garë.

Radio Kosova: Morea, a të pëlqen vallëzimi dhe sa kohë keni që merreni me vallëzimin?

Morea Kasapolli: Po më pëlqen shumë. Kam tri vjet që merrem me vallëzim. Ndërsa, në vitin e fundit kam pasur fatin të pranohem në studion me të mirë të Çekisë, “Dance company miracle”.

Radio Kosova: Si u pritët kur u kthyet në Çeki me një çmim fitues?

Morea Kasapolli: Jemi pritur shumë mirë. Kemi bërë bujë të madhe për këtë fitore. Familja ime është ndjerë shumë mirë dhe krenare për mua. Gjithashtu, shkolla dhe komuna e qytetit, kanë postuar në faqet e tyre zyrtare lajmin për fitoren tonë.

Radio Kosova: A do të vazhdoni ende të merrni pjesë në gara të tjera, cilat janë planet tuaja?

Morea Kasapolli: Sigurisht që do të punojë për të marrë pjesë edhe në gara të tjera të ardhshme.

Radio Kosova: A keni dëshirë të vazhdoni me vallëzim, apo keni edhe ëndrra të tjera?

Morea Kasapolli: Po. Vallëzimin do ta vazhdoj, por dua të bëhem edhe dentiste në të ardhmen.


MË SHUME NGA Kulturë