CHwB hap thirrjen për programin e ruajtjes së trashëgimisë kulturore
M.P. / RTKlive
Cultural Heritage without Borders Kosova (CHwB) ka shpallur thirrjen e hapur për edicionin e tetë të programit “Heritage Space Fellowship”.
“Ky program fton artistë, studiues dhe profesionistë nga fusha e kulturës, industrive kreative dhe humanistikës digjitale që të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e një platforme që ofron hapësirë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore përmes hulumtimit, dokumentimit dhe interpretimit”, thuhet në komunikatën e CHwB-së.
Sipas kësaj komunikate, programi synon që t’u ofrojë të përzgjedhurve mundësinë të zhvillojnë projekte që eksplorojnë dhe dokumentojnë histori lokale duke krijuar kështu punë që paraqesin aspekte të reja të trashëgimisë, të cilat ndërlidhen me perspektiva bashkëkohore.
“I nisur në vitin 2016, programi Heritage Space ka mbështetur 52 projekte në mediume të ndryshme, duke përfshirë artin bashkëkohor, prodhimin e filmave, shkrimin, rrëfimin digjital dhe projekte hulumtuese rreth arkivave alternative”, vazhdon njoftimi.
Afati për aplikim është deri më 20 dhjetor.























