Prençi: ‘Brenga e prokurit’, është realiteti i sotëm në Shqipëri
Intervistoi: Vera Pelaj|Radio Kosova
Ish-drejtori i policisë së shtetit shqiptar, Ahmet Prençi, pas romanit “Anja”, te lexuesi erdhi para një viti me romanin e radhës “Brenga e prokurorit”, i cili tashmë u botua dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është në proces botimi edhe në Itali.
Radio Kosova: Zotëri Prençi, “Brenga e Prokurorit” bëri një vit në treg dhe dukshëm ka lënë gjurmë të spikatura tashmë. Si ishte ky vit me praninë e këtij romani për ju?
Ahmet Prençi: Jam shumë i kënaqur që romani ka ecur shumë mirë. U mbarua kontingjenti i parë, është ribotuar së fundmi dhe opinionet nga lexuesit kanë qenë shumë të mira, e kjo më gëzon së tepërmi. Është arritur të botohet dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në anglisht dhe është në proces botimi në Itali. Me rrugëtimin që ka bërë romani deri tani, jam shumë i kënaqur.
Radio Kosova: Kritika ka folur, lexuesi po e po, studiuesit dhe konkurset letrare e kanë pasur në qendër të vëmendjes. Tani pas një viti rrugëtim me të, çka mendon se ka ndikuar tek ata prej këtij romani?
Ahmet Prençi: Tema mbase ka qenë intriguese sepse është temë e aktualitetit tonë, janë problemet sociale dhe psikologjike që ndodhin, e mbase kjo ka qenë një arsye më shumë që libri është lexuar dhe komentuar shumë nga kritika, por dhe nga lexuesit profesionistë që janë marrë me librin tim. Është një roman që lidhet me aktivitetin tim publik që kam kryer në institucionet ligj-zbatuese, kështu që për mua ka qenë më e lehtë për ta shkruar, por nuk mund të komentohet si roman policor pasi më tepër është roman psikologjik. Të gjitha episodet e këtij libri janë realiteti i sotëm që ndodh në Shqipëri. Kjo mbase ka qenë një arsye që lexuesi ka qenë i interesuar dhe i vëmendshëm për ta thithur më shumë temën dhe mesazhet e romanit që janë dhënë brenda.
Radio Kosova: Sa ju ka ndihmuar puna që e keni bërë në policinë e shtetit për të krijuar letërsi të tillë?
Ahmet Prençi: Puna më ka ndihmuar shumë. Në qoftë se një autor tjetër do ta merrte përsipër të trajtonte temën që e kam trajtuar në këtë libër, do ta kishte më të vështirë se sa unë. I vetmi problem i imi në procesin e shkrimit të këtij libri, ka qenë raporti i gjuhës teknike të profesionit me gjuhën letrare që do lexuesi. Besoj që me konsultimet që i kam bërë që në dorëshkrim të librit, është arritur kjo gjë, që libri të jetë i lexueshëm,i lehtë për t’u kuptuar dhe për t’u shijuar gjatë leximit. Të paktën këtë e kam marrë nga shumë lexues që e kanë marrë librin dhe që nuk e kanë lënë përgjysmë.
Radio Kosova: Cilat janë komentet nga Amerika, që u janë përcjell për “Brenga e prokurorit”?
Ahmet Prençi: Sapo ka dalë këto ditë në Amerikë, nga një shtëpi botuese që boton autorë të rinj. Kjo u arrit falë mbështetjes së shkrimtarit Shefqet Meko, dhe miku im, bëri prezantimin e këtij libri para një shtëpie botuese, i cili pasi kaloi proceset e leximit dhe specialistëve të shtëpisë botuese që merren me këto punë, fitoi për t’u botuar. Është përkthyer nga një përkthyese nga Zelanda e Re, përkthyese shumë e mirë, e cila ka përkthyer dhe autorë të tjerë shqiptarë. Cilësia e përkthimit ishte mjaft e mirë, nga testimet që janë bërë, kështu që libri tashmë është i botuar dhe unë pres kopjet e para të më vijnë. Gjithashtu, është dhe në Amazon, për çdo njeri që do ta lexojë në anglisht këtë libër.
Radio Kosova: Në Prishtinë, patët dhënë lajmin se ky roman do të bëhet dhe film! Deri ku ka shkuar puna në momentin që po flasim?
Ahmet Prençi: Jam i informuar sepse thjesht do të doja që ky projekt të realizohej për librin tim. Skenarist është shkrimtari i njohur dhe skenaristi i njohur, Ylljet Aliçka. Ai me kompaninë filmike ka aplikuar në Ministrinë e Kulturës dhe të shohim se si do eci. Është në fazën e shqyrtimit.
Radio Kosova: A mendoni se Prokurori juaj i mungon edhe Perëndimit, jo vetëm neve shqiptarëve?
Ahmet Prençi: Besoj se është interesant si temë e trajtuar. Ne si lexues, kur duam të mësojmë diçka për një shtet tjetër, gjejmë një autor të atij shteti dhe lexojmë e mësojmë mbi përditshmërinë e atij vendi. Kështu që, kush është i interesuar për Shqipërinë, sidomos për kriminalitetin, për mënyrën se si funksionojnë gjërat, për mentalitetin dhe kulturën tonë që kemi, besoj se mund ta gjejnë një copëz Shqipëri kudo që ta lexojnë, në çdo vend të botës.
Radio Kosova: Pas romanit tuaj “Anja”, që pati bërë bujë, edhe “Brenga e Prokurorit”, nga kritikët dhe lexuesit, konsiderohet vepër e arrirë! A mendoni ta sfidoni tashmë “Brengën”, ta tejkaloni?
Ahmet Prençi: Shpresoj! Po mendoj ta shkruaj njëherë një subjekt në mendjen time që po e përtyp, e së shpejti do të ulem.
Radio Kosova: A do ta bëni publik subjektin?
Ahmet Prençi: Jo! Nuk ia vlen të bëhet publik tani, por shumë shpejt do të ulëm që ta shkruaj, pastaj më ngelet punë fizike për të punuar, për ta bërë romanin.
Radio Kosova: A mendoni se ju pengon fama e këtij romani për librin pasardhës?
Ahmet Prençi: Kjo është sfida. Nga një roman i parë tek i dyti, e kam testuar. Romanin “Anja”, mendoja ta printoja në njëzet kopje që ta lexojnë miqtë e mi dhe me kaq ta mbyllja. Përgjegjësia rritet kur të vijnë impresione nga lexues, nga kritika, nga auditori që të diskutojnë për librin. Pas “Brenga e Prokurorit”, sigurisht që përgjegjësia ime është shumë më e madhe për të bërë një libër akoma më të bukur, akoma më të vlefshëm për shoqërinë dhe për lexuesin.
Radio Kosova: Jetojmë në kohën kur inteligjenca artificiale ka hyrë çdo kund. Ju, a i frikësoheni kësaj inteligjence?
Ahmet Prençi: Unë shpresoj që jo sepse inteligjenca artificiale do ta heq punën fizike që bën njeriu, por jo argëtimin dhe bërjen art, apo dëfrimeve të tjera që kërkon njeriu. Mendoj që leximi është një nga kënaqësitë që përfiton njeriu dhe unë mendoj se asnjëherë nuk do të heqin dorë njerëzit nga leximi i librave.























