IKD: Qeverisja të bëhet me persona që nuk kanë probleme me ligjin
BKT
Foto: Valjeta Shala
Lajme

IKD: Qeverisja të bëhet me persona që nuk kanë probleme me ligjin

V. Thaçi / RTKlive

Qeverisja me persona të cilët nuk kanë probleme me ligjin, është parim bazë që duhet ndjekur nga një qeveri e cila synon qeverisjen e mirë. Kështu u tha mes tjerash në publikimin e raportit me titull: “Qeverisja me duar të pastra dhe hetimi i korrupsionit qeveritar”, organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL).

Florian Smajli, hulumtues në IKD tha se ky raport tregon për deputetët dhe kabinetin qeveritar, të cilët ende kanë probleme me ligjin, si dhe rastet kur standarde ndërkombëtare relevante nuk janë zbatuar në praktikë.

“Integriteti i institucionit dhe zyrtarit publik cenohet kur shfaqen situata ku zyrtarët publikë njërën pjesë të ditës e kalojnë në gjykatë si të akuzuar dhe pjesën tjetër të ditës duke bërë politika publike. Raste të tilla padyshim se cenojnë besimin e publikut në vetë institucionet publike”, ka theksuar Smajli.

Ai tutje tha se përkundër rëndësisë së madhe që Qeveria dhe Kuvendi mos të përbëhen nga persona të cilët kanë probleme me ligjin dhe përkundër zotimeve se kjo nuk do të ndodh, këto situata vazhdojnë të jenë të shfaqura edhe në këtë Qeveri.

Ndërkaq, Shqiponjë Gashi tha se me qëllim të ruajtjes së integritetit të institucionit dhe mbajtjes së besimit të publikut në institucione nga ana e zyrtarëve publikë kërkohet që të bëjnë një hap prapa në rastet e dyshimeve të caktuara. 

“Në kuptim të qeverisjes së mirë, është shumë e rëndësishme që zyrtarët vetë të largohen nga pozitat e tyre në rast të dyshimeve për keqpërdorime. Kjo në asnjë rrethanë nuk do të nënkuptonte pranim të përgjegjësisë. Përkundrazi, do të dëshmonte përgjegjshmëri të lartë, duke përçuar mesazhin se zyrtari në fjalë nuk ka se çfarë të fsheh dhe do të bëjë një hap prapa derisa situata të qartësohet”, ka theksuar Gashi.

 

 


MË SHUME NGA Lajme