PDK-ja çon në Kushtetuese ligjet e miratuara në seancën e 5 dhjetorit|Video
Sh.Ç/RTKlive
Partia Demokratike e Kosovës i ka proceduar në Gjykatën Kushtetuese ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës, në seancën e 5 dhjetorit. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka theksuar se seanca e 5 dhjetorit përcaktoi standard tepër të dëmshëm.
Pasi e ka dorëzuar lëndën në gjykatë, Tahiri ka deklaruar se kanë paralajmëruar që do t'i dërgojnë 20 projektligje në Gjykatën Kushtetuese, mirëpo, në konsultim me ekspertët, i kanë proceduar vetëm 16 prej tyre.
"Seanca e 5 dhjetorit ka përcaktuar një standard jashtëzakonisht të dëmshëm dhe e ka dhunuar jetën parlamentare në vendin tonë. Ato seanca kanë vendosur një rekord te zi parlamentar jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Ne kemi paralajmëruar që do t'i dërgojmë 20 projektligje në Gjykatën Kushtetuese, prej atyre të cilat janë miratuar, mirëpo, në konsultim me gjithë ekspertët tanë, sot i kemi proceduar 16 prej tyre", ka theksuar Tahiri.
Tahiri ka theksuar se ajo çfarë ndodhi më 5 dhjetor, ishte një shembull flagrant i shkeljes së Rregullores së Kuvendit dhe praktikave demokratike të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe atyre evropiane.
“Gjithë këto ligje, shumica e të cilëve u miratuan brenda të njëjtës ditë, janë rezultat i një procesi të papranueshëm që dëmton integritetin parlamentar”, ka thënë ai.
Sipas tij, nga 16 ligjet e kontestuara, 15 ligje janë kontestuar për shkelje procedurale, ndërsa Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, është kontestuar si në procedurë, ashtu edhe në përmbajtje.
Tahiri theksoi disa nga shkeljet kryesore dhe flagrante të Procedurave Parlamentare si miratimi i këtyre ligjeve pa miratim paraprak të rendit të ditës nga Kryesia e Kuvendit, thirrja e seancave me njoftime të vonuara e të papërshtatshme për deputetët, duke pamundësuar shqyrtimin dhe amandamentimin e materialeve ligjore, si dhe procesi i miratimit të ligjeve, nga shqyrtimi në lexim të parë deri në miratim përfundimtar, është zhvilluar brenda një dite të vetme, duke shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
“Edhe thirrja e këtyre seancave dhe njoftimi i deputetëve për mbajtjen e tyre është bërë në mënyrë kundërkushtetuese dhe të kundërligjshme, vërtetohet edhe me njoftimet dhe ftesat zyrtare që ne i kemi pranuar si deputetë, e të cilat simbolikisht i demonstroj dhe prezantoj para juve”, ka thënë ai.
Tahiri ka deklaruar se deputetët kanë të drejtë elementare kushtetuese dhe ligjore, që të njoftohen së paku 48 orë më herët për mbajtjen e seancave, që të shqyrtojnë materialet e tyre, të përgatiten lidhur me to.
“Për shembull, për seancën e caktuar të mbahet për në ora 14:40, deputetët e Kuvendit janë njoftuar me 21 minuta vonesë, pra në ora 15:01. Për seancën e caktuar për orën 19:30, deputetët janë ftuar po ashtu me vonesë në 19:31. Për seancën e caktuar për orën 20:10, deputetët janë njoftuar vetëm 2 minuta më herët, pra 20:08. Për seancën e caktuar për orën 22:30, deputetët janë njoftuar në ora 22:42”, ka thënë ai.
Sipas Tahirit, PDK mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e Kushtetutës, rendit kushtetues dhe institucioneve demokratike, si dhe duke adresuar këto raste në Gjykatën Kushtetuese, synohet të parandalohet krijimi i precedentëve që cenojnë të drejtat e qytetarëve dhe shkelin parimet e shtetit të së drejtës.
“Kontestimi i këtyre ligjeve nuk është vetëm një domosdoshmëri për mbrojtjen e parimeve kushtetuese, por edhe një detyrë për të parandaluar dëmet që këto ligje mund të shkaktojnë ndaj interesit publik dhe demokratik. Si deputetë të PDK-së, ne do të vazhdojmë të mbrojmë Kushtetutën dhe të sigurojmë që Kuvendi të funksionojë siç e parasheh ligji”, ka theksuar Tahiri.
Partia Demokratike e Kosovës fton Gjykatën Kushtetuese të vlerësojë me kujdes shkeljet e evidentuara dhe të sigurojë që proceset ligjore të respektojnë parimet kushtetuese të Republikës së Kosovës.























