Avni Arifi: Kosova nuk ka ditur që t’i shfrytëzojë aleatët e saj
E.Hoti/RTKlive
Këshilli i Bashkimit Evropian do t’i kërkojë Kosovës që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe ta dërgojë draft-statutin evropian në Gjykatën Kushtetuese. Duke folur për këtë, ish ambasadori Avni Arifi tha se kërkesa e BE-së për Asociacionin si veprim është e ri, kurse si kërkesë është e moçme.
"Është edhe një zotim që e ka bërë kryeministri para Këshillit. Draft-statuti nuk është dokument i dialogut Prishtinë-Beograd, nuk është më dokument i Lajçakut. Qeveria e Kosovës me refuzimin e saj që të prodhojë vet draft-statut ka bërë që draft-statuti i Lajçakut, i cili edhe vet nga kryeministri Kurti është aprovuar në takimin me Olaf Scholz, me Macronin dhe Melonin, pra tash është dokument i Bashkimit Evropian dhe natyrisht Këshilli i Ministrave kërkon që ai dokument të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese. Them është veprim i ri, por është ditur që veprime të tilla do të ketë fuqishëm në të ardhmën dhe natyrisht se këto do të kushtëzohen me çdo progres të Kosovës në fusha të caktuara”, tha ai në emisionin “Info Plus” në RTK.
Sipas Avni Arifit, drafti-statuti nuk do të dërgohet para datës 9 shkurt.
“Kjo nuk do të ndodhë. Albin Kurti nuk e dërgon sigurtë para 9 shkurtit pa marrë parasysh ç'farë do të jenë kërkesat dhe presioni, sepse dërgimi i tij do t’i përmbyste qëndrimet e tij të deritanishme me bashkësinë ndërkombëtare. Në logjiken e tyre ekziston bindja se ata kishin me humbë shumë vota me dërgimin e draft-statutit para 9 shkurtit”, tha ai .
Ish ambasadori foli edhe për masat e BE-së ndaj Kosovës. Ai tha se Kosova nuk ka ditur që t’i shfrytëzojë aleatët e saj që të mos i vendosen masat, kurse Serbia po i përdor aleatët e vet dhe ata nuk po lejojnë që Kosovës t’i hiqen masat.























