Milanoviç: Të gjitha shtetet e BE-së duhet ta njohin Kosovën
BKT
Foto: ZKM
Lajme

Milanoviç: Të gjitha shtetet e BE-së duhet ta njohin Kosovën

G.K/RTKlive

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën, duhet ta bëjnë këtë. Lajmi u bë i ditur nga Zyra e Presidentit kroat.

“Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për shtetësi dhe njohje të plotë ndërkombëtare. Veçanërisht, të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur, duhet ta bëjnë këtë,” tha Milanoviç gjatë takimit me Kurtin, i cili ndodhej për vizitë zyrtare në Kroaci.

Milanoviç theksoi gjithashtu se Kosova ka mbështetje të plotë dhe të fuqishme nga Kroacia në rrugën e saj drejt anëtarësimit në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Ai shtoi se normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm, pasi kjo do të kontribuonte në një stabilitet më të madh në Evropën Juglindore, që përbën një interes strategjik për Kroacinë, shkruan Glas Slavonije.

Ndërsa në njoftimin e qeverisë bëhet e ditur se në këtë takim bilateral, kryeministri Kurti dhe presidenti Milanoviç trajtuan edhe zhvillimet e fundit, përfshirë ato në rajon.

"Në këtë takim bilateral, kryeministri Kurti dhe presidenti Milanović trajtuan edhe zhvillimet e fundit, përfshirë ato në rajon. Kryeministri e njoftoi me detajet e sulmit terrorist të 29 nëntorit në Zubin Potok që për cak kishte infrastrukturën kritike. Ai ndau me të veprimet e menjëhershme që institucionet e vendit ndërmorën për të sanuar dëmin dhe për të evituar pasojat e rënda mbi popullatën civile që kishte për qëllim sulmi", thuhet në njoftim.

Më herët gjatë ditës së premte, kryeministri Kurti u takua edhe me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviç, dhe kryetarin e Parlamentit, Gordan Jandrokoviç.


MË SHUME NGA Lajme