Sindikata kërkon urgjent sigurimin shëndetësor për Policinë
N.M. /RTKlive
Sindikata e Policisë së Kosovës u ka bërë thirrje urgjente aktorëve shtetërorë që të sigurojnë mbulimin shëndetësor për punonjësit e Policisë.
Sindikata ka thënë se çështja e sigurimit shëndetësor është ngritur prej kohësh, porse institucionet nuk kanë arritur të ofrojnë zgjidhje konkrete. Sindikata i drejtohet Qeverisë së Kosovës me kërkesën që të ndërmerren masa të menjëhershme për sigurimin e mbështetjes shëndetësore për policët.
Kjo kërkesë vjen si pasojë e një vetaksidenti të fundit, ku mbetën të lënduar tetë zyrtarë policorë, thuhet në komunikatën e sindikatës, teksa theksohet se sigurimi shëndetësor për policët është urgjent dhe i domosdoshëm.
“Çështja e sigurimit shëndetësor për policët është ngritur prej kohësh, por deri më tani, institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të ofrojnë një zgjidhje konkrete. Sindikata e Policisë së Kosovës mbetet e përkushtuar që të vazhdojë të angazhohet për të drejtat dhe mirëqenien e punonjësve të saj, duke kërkuar nga institucionet e Republikës së Kosovës që t’i japin kësaj çështjeje prioritetin që meriton”, thuhet në reagimin e kësaj sindikate.























