Trump zgjedh Grenellin si të dërguar për misione të posaçme ndërkombëtare
BKT
Lajme

Trump zgjedh Grenellin si të dërguar për misione të posaçme ndërkombëtare

Dardan Ramabaja /RTK

(E plotësuar) Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha të shtunën se ka zgjedhur ish-shefin e tij të zbulimit Richard Grenell, si të dërguar presidencial për misione të posaçme, një post ku ai pritet të ndihmojë administratën e ardhshme që të përballet me disa nga sfidat më të vështira të politikës së jashtme.

Në një postim në median e tij Truth Social, presidenti në ardhje ka shkruar se Grenell është një këshilltar për politikën e jashtme për një kohë të gjatë për Trumpin. Ai ka shërbyer më parë si ambasador në Gjermani dhe si ushtrues detyre i drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, dhe i dërguar i presidentit në Negociatat Kosovë-Serbi.

Në njoftimin e tij, Trump tha se Grenell do të "punojë në disa nga pikat më të nxehta në mbarë botën, duke përfshirë Venezuelën dhe Korenë e Veriut".

Por, një burim nga ekipi i tranzicionit i zotit Trump i ka deklaruar agjencisë së lajmeve Reuters se zoti Grenell do të fokusohet gjithashtu edhe tek tensionet në Ballkan.

Njoftimin e ka publikuar edhe Grenell në platformën X, ku ka shkruar se të punosh në emër të popullit amerikan për Donald Trumpin është nderi më i madh i jetës. Sipas tij, presidenti Trump është dikush që u gjen zgjidhje problemeve, duke i mbajtur amerikanët të sigurt dhe të begatë. Kemi shumë punë për të bërë. Le të fillojmë punën", u shpreh Grenell.

Trump emëroi gjithashtu Devin Nunes, ish-anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve dhe CEO aktual i platformës së tij të mediave sociale Truth Social, për të udhëhequr Bordin Këshillimor të Inteligjencës së Presidentit.


MË SHUME NGA Lajme