Të premten takohen dy Kuvendet Kosovë-Shqipëri, fjalime edhe kryeministrat
Valmira Saraçi|RTKlive
Të premten e 20 dhjetorit Kuvendi i Kosovës do të hapë dyert për një seancë të veçantë e që konsiderohet edhe si seanca e fundit për legjislaturën e tetë të Kuvendit të Republikës. Në sallë plenare do të jenë bashkë deputetët e Kuvendeve nga Kosova e Shqipëria i cili do të shënojë edhe takimin e fundit në mes të këtyre legjislaturave meqë përveç Kosovës që ka zgjedhjet parlamentare, zgjedhje do të ketë po ashtu edhe Shqipëria.
Gjashtëdhjetë ligjvënës nga Republika e Shqipërisë do të vijnë këtë të premte në Kosovë të prirë nga Elisa Spiropali, kryetarja e 38 me radhë që udhëheqë parlamentin shqiptar.
Ajo do të ketë fjalën e saj në seancën e së premtes, siç do të ketë fjalë edhe kryekuvendari kosovarë, Glauk Konjufca.
Fjalë atë ditë do të mbajnë edhe dy kryeministrat ai i Kosovës, Albin Kurti dhe Edi Rama i Shqipërisë.
Përveç kësaj, fjalime në seancën e veçantë do të mbajnë edhe shefat e Grupeve Parlamentare nga Kosova e Shqipëria.
Kjo po konsiderohet si seanca e fundit për këtë mandat, nese gjatë javës nuk do të arrihet një tjetër dakordim me opozitën që në sallë për herë të fundit të kthehen për t’i votuar marrëveshjet ndërkombëtare.
Shefja e deputetëve të LVV-së Mimoza Kusari Lila, tha se kanë aprovimin e deputetëve të grupit të tyre edhe të atyre që nuk janë rikandiduar se votë do të japin për marrëveshjet ndërkombëtare, por seanca do të thirret vetëm pasi të sigurohen që aty janë 80 votat e domosdoshme që t’i kalojnë ato.
“Nuk i duhet askujt një seancë e dështuar që do të jenë si një seancë finale e Kuvendit të Republikës”, tha Kusari Lila, pas mbledhjes së Kryesisë.























