Opozita e kritikon Kurtin që nuk shkoi në prokurori
Valmira Saraçi|RTKlive
Mesazh të keq për qytetarët e ka quajtur shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri mos shkuarjen e kryeministrit Albin Kurti para prokurorit sot, sipas ftesës së dërguar nga ky organ.
“Është mesazh i keq për qytetarët për mënyrën si në këtë rast e trajton organin e akuzës. Ashtu siç e ka përcaktuar edhe kushtetuta pushtetet janë të ndara, organi i akuzës është për të mos lejuar të ndodhë keqpërdorimi. Kryeministri është të zhvillojë vendin. Organi i akuzës ka diçka që i duhet kryeministri që duhet t’i jap drejtim një çështjeje të caktuar. Është mesazh e shembull shumë i keq për secilin qytetarë në vendin tonë”, tha tutje ai.
Tahiri është pyetur edhe për emërimin e Grenell-it si i dërguar special për krizat nga administratat re Trump. Ai tha se qeveria e ka dëmtuar shumë agjendën në raport me ShBA.
“Unë besoj që Republika e Kosovës do ta ketë një qeveri të re. Besoj shumë që Kosovës po i hapet një perspektivë e re edhe në raport me ShBA. Këta që po shkojnë kanë qenë të papjekur, e kanë dëmtuar shumë agjendën në raport me ShBA. Papjekuria e tyre dhe tendenca që t’i dëmtojë relacionet sjellën dëm të madh për Republikën e Kosovës. Me këta njerëz, relacionet nuk mund të ndryshojnë me ShBA”, tha ai.
Ndërkohë, i pyetur për pritjet e takimit të shteteve evropiane e të Ballkanit në Bruksel, tha se kryeministri kosovarë në sytë e liderëve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor, është një lider i sanksionuar.
Gashi: Epërsia politike e ekzekutivit mbi prokurorinë është e papranueshme
Edhe shefi i deputetëve të LDK-së Arben Gashi, kritikoi faktin që kryeministri Kurti sot nuk u paraqitë para prokurorisë bazuar në ftesën që pati.
Sipas tij, epërsia politike e ekzekutivit mbi gjyqësorin në këtë rast mbi prokurorinë është e papranueshme.

“Është koncept i gabuar dhe nënkupton këndvështrimin dhe vlerësimin e kryeministrit. Nëse vlerëson që duhet të thirremi në sundim të rendit të ligjit atëherë duhet të punojë për drejtësinë e jo të pretendojë që t’i mbivendoset drejtësisë siç kanë ndodhur në rastin e tejkalimit të çdo afati ligjor për ndjekje penale të zyrtarëve të tij të lartë, duke filluar nga vetë kryeministri e ministrat e tij. Më e ndershme do të ishte ata sillnin në kuvend Ligjin për Amnistinë sesa këto shkelje procedurale e ligjore e krijimin e një botëkuptimi përballë qytetarëve se mund të jesh përmbi ligjin”, tha ai.
Kur u pyet për emërimin e Grenell-it si emisar special për krizat, Gashi tha se është vendim sovran i Shteteve të Bashkuara.
“Normalisht që do të bashkëpunojmë me këdo që ShBA e vendos si përfaqësues në ndërmjetësimin e krizave. Nuk jemi ne ata që vendosim se kush do të jetë përfaqësues i SHBA. Unë e komentoj si vendim sovran i ShBA që është me automatizëm i respektueshëm”, tha ai.
Kadrijaj: Askush nuk është mbi ligjin
Ndërkaq, Time Kadrijaj që në këtë mbledhje ishte e ngarkuar nga AAK-ja për ta përfaqësuar në kryesi, tha se askush nuk është mbi ligjin.
“As Albin Kurti nuk është mbi ligjin dhe vetë deklarata e tyre se kryeministri po ftohet në kohë zgjedhjesh për të dëshmuar, nuk qëndron sepse kemi qenë edhe ne deputetë që kemi pasur ftesa nga Prokuroria Speciale për shkak të gazit lotsjellës, por i jemi përgjigjur që t’i respektojmë organet e drejtësisë”, tha ajo.

Kur foli për emërimin e Richard Grenellit, tha se është hera e parë që janë atakuar raportet me ShBA, si aleat tradicional.
“Mua më pëlqen që zyrtarët amerikanë kanë thënë se nuk kemi raporte me këtë qeveri, kemi raportet e mira me popullin e Kosovës. Për herë të parë në histori ka ndodhur që janë atakuar Shtete e Bashkuara të Amerikës si aleat tradicional”, tha ajo.
Sipas Qeverisë, kryeministri nuk u paraqit sot për intervistim pasi që ndodhet për vizitë zyrtare jashtë vendit.























