Kosova ekstradon në SHBA një të dyshuar për vrasje në Bronks më 2006
G.K/RTKlive
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur rreth arrestimit të një shtetasi të Kosovës nga Peja, i cili dyshohet për vrasje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Javën e kaluar, ne e shfrytëzuam traktatin për ekstradim mes SHBA-së dhe Kosovës për ta dërguar një të pandehur nga Kosova në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me gjykim”, shkroi Hovenier në X.
Ai i falënderoi autoritetet kosovare për ndihmën që ia ofruan SHBA-së në këtë rast.
Ndërkohë, në dokumentin e shpërndarë nga diplomati amerikan, thuhet se "një i dyshuar për vrasje nga viti 2006 është ekstraduar nga Kosova në Shtetet e Bashkuara pas 18 vitesh arratisje, për t’u përballur me akuzat për vrasjen e një kalimtari të pafajshëm gjatë një incidenti në Bronx".
Sipas Prokurores së Qarkut Bronx, Darcel D. Clark, i dyshuari Ahmet Gashi, i njohur edhe si Ahmet Arifi, 42 vjeç, është akuzuar për dy vepra penale të vrasjes në shkallën e dytë, vrasjes me dashje dhe rrezikimit të rëndë.
Ai u paraqit para Gjykatës Supreme të Bronx-it më 16 dhjetor 2024 dhe është urdhëruar të mbahet në paraburgim deri në seancën e radhës, më 16 janar 2025.
Siç potencohet në dokumentin e shpërndarë nga ambasadori amerikan, ngjarja ndodhi më 31 dhjetor 2006, rreth orës 4:35 të mëngjesit, jashtë lokalit “Moonlight Restaurant and Bar” në Bronx.
Sipas hetimeve, pas një përleshjeje fizike brenda lokalit, Gashi u nxor jashtë nga stafi dhe vazhdoi të konfliktohej me turmën jashtë. Ai dyshohet se hipi në automjetin e tij, një S.U.V. të zi, dhe u fut në trotuar me shpejtësi, duke shpërndarë turmën dhe goditur për vdekje Kemal Kolenovic, 28 vjeç, një kalimtar i pafajshëm.
Viktima u përplas disa metra larg dhe ndërroi jetë nga plagët e rënda.
Pas incidentit, Gashi u arratis në Kosovë, ku qëndroi për 18 vite deri në arrestimin dhe ekstradimin e tij më 13 dhjetor 2024.























