Instalacioni `Rradha Jote`, një urë midis artit dhe trashëgimisë kulturore
BKT
Kulturë

Instalacioni `Rradha Jote`, një urë midis artit dhe trashëgimisë kulturore

Sh.G / RTKlive

“Rradha jote” është një instalacion që frymëzohet nga një rit i një tyrbeje sufiste në kalanë e Artanës, ku njerëzit të rrotullojnë tjegullat në kërkim të fatit.

Instalacioni “Rradha Jote” nga artistja Diellza Salicana është një vepër që ka tërhequr vëmendje për veçantinë dhe konceptin e saj artistik.

Në një intervistë në programin e mëngjesit të RTK-së, Salicana foli për madhësinë e instalacionit, e cila luan një rol kyç në theksimin e temës dhe konceptit të veprës. Ajo shpjegoi se vendimi për të krijuar një ekspozitë me një punim të vetëm ka pasur për qëllim të përqendrojë gjithë vëmendjen te kjo vepër unike.

Koncepti kryesor i këtij instalacioni është frymëzuar nga një rit i veçantë i praktikuar në një tyrbe në Novobërdë. Sipas këtij riti, njerëzit shkonin për të rrotulluar tjegulla, duke besuar se në këtë mënyrë mund të gjenin fatin e jetës. Duke rikrijuar këtë traditë si një vepër artistike, Diellza ka synuar të ruajë dhe të promovojë trashëgiminë kulturore, duke e bërë këtë rit të njohur për publikun më të gjerë.

Procesi i krijimit, kjo vepër ka kërkuar rreth një vit për t’u realizuar, përfshirë fazat e zhvillimit të idesë, përgatitjes dhe finalizimit. Përmes instalacionit, artistja thekson rëndësinë e ruajtjes dhe dokumentimit të riteve të ndryshme tradicionale që ekzistojnë në qytetet e Kosovës.

Ky projekt përfaqëson një ndërthurje të artit bashkëkohor me traditat kulturore dhe krijon një urë lidhëse mes të shkuarës dhe të tashmes, duke u shërbyer si një kujtesë për rëndësinë e trashëgimisë kulturore.


MË SHUME NGA Kulturë