Kosova e Serbia pajtohen për zbatim të deklaratës për personat e zhdukur
BKT
Lajme

Kosova e Serbia pajtohen për zbatim të deklaratës për personat e zhdukur

Gj.T|RTK

(E plotësuar, ora 18:10) Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi, pas përfundimit të takimit, tha se në takimin trepalësh në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ka pajtim për zbatim të plotë të deklaratës për personat e zhdukur.

“Jemi marrë vesh që të pranohet versioni i dhjetorit i termave të referencës së komisionit të përbashkët, kur Serbia kishte paraqitur pengesat dhe si duket i ka tërhequr ato, prandaj mendoj se tani mund të ecim tutje ku gjatë muajit të ardhshëm do të mbahet mbledhja e parë e këtij komisioni të përbashkët”, tha ai.

Sipas tij, ka premtime nga ana e Serbisë se nuk do të ketë tendenca për pengimin e punës së këtij komisioni përmes makinerive që ata dinë t’i zbatojnë. Bislimi tha se Lajçak ka dënuar sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit dhe po ashtu ka treguar që BE është e gatshme të ndihmojë në hetimin e plotë të këtij rasti.

Emisari Lajçak mirëpriti vendimin e qeverisë për regjistrimin e fakteve të gjendjes civile për serbët e Kosovës. 

Ndërkohë në takimin trilateral në nivel të kryenegociatorëve, zëvendëskryeministri Bislimi përsëriti qëndrimin konstruktiv të Kosovës në ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksin e Implementimit.

Përgjatë takimit, ai ngriti edhe çështjen e diskriminimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ku së fundmi Ministria e Serbisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe Dialog Social, ka ndërhyrë për të bllokuar donacionin e dedikuar për subvencionimin e bujqëve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke kërkuar anulimin e vendimit për thirrjen publike.

Përfundon takim në Bruksel

Ka përfunduar takimi trepalësh mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, në Bruksel. Takimi u zhvillua në kuadër të procesit të dialogut ndërmjet dy palëve dhe zgjati më shumë se dy orë.

Nis takimi Bislimi-Petkoviq me ndërmjetësimin e BE-së

(Plotësuar, 15:20) Ka nisur takimi mes kryenegociatorëve nga Kosova e Serbia, Besnik Bislimi e Petar Petkoviq me ndërmjetësimin e BE-së.

Ky takim trelateral BE-Kosovë-Serbi po mbahet pas gati rreth dy muajsh nga ai i fundit që kishin kryenegociatorët në tetor e që kishte përfunduan pa rezultate.

Bashkimi Evropian ditë më parë, kishte konfirmuar pjesëmarrjen e të dyja palëve duke thënë se dhe se aty do të shqyrtojnë një sërë çështjesh, përfshirë atë për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan herën e fundit në tetor, ku nuk u arrit ndonjë rezultat konkret drejt zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.


MË SHUME NGA Lajme