Vërtetohet dënimi me burgim ndaj sulmuesit të gazetarit Alban Selimi
RTKlive
Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe ka mbajtur në fuqi dënimin prej 4 vite burg ndaj Arsim Limanit, i cili në mars të vitit 2023 shkaktoi zjarr në shtëpinë e redaktorit të redaksisë hulumtuese të RTK-së, Alban Selimit.
Të gjitha pretendimet e avokatit Fanol Krasniqi, se Gjykata Themelore ka vërtetuar gabimisht gjendjen faktike, Gjykata e Apelit i ka hedhur poshtë. Gjykata ka elaboruar edhe motivin, duke vërtetuar se lidhet me punën e Selimit si gazetar hulumtues.
Selimi tha se ajo që është shumë e rëndësishme është fakti se gjykata nuk ka marrë parasysh shpifjet e ulëta që sulmuesi i ka përdorur si “mjet të fundit” për ta goditur atë.
“Po ashtu në Aktgjykimin e Apelit përmendet disa herë dhe në mënyrë të sforcuar se i gjithë rasti ka të bëjë me punën time si gazetar. Ky vendim është një precedent i mirë për gjithë gazetarët, sepse ky është njëri ndër dënimet më të larta që i është dhëne një recidivisti kriminal që guxon të ndërmarrë veprime që nuk rrezikojnë vetëm jetën e një gazetari, por edhe familjes se tij. Për dëmet materiale dhe shpirtërore të shkaktuara ndaj meje dhe familjes, si pasojë e zjarrit dhe shpifjeve do të vazhdojmë me padi civile në Gjykatën Themelore, ashtu siç rekomandon aktvendimi i Apelit”, tha Selimi përmes një deklarate për media.
Ndryshe i dënuari Arsim Limani, është një recidivist dhe ka qenë i dënuar paraprakisht edhe pesë herë të tjera me aktgjykime të formës se prerë.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 15 shkurt 2024 e kishte dënuar të akuzuarin Arsim Limani me katër vite burgim për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. Në aktgjykimin e plotë, Themelorja ka renditur arsyet se pse të akuzuarit iu rikualifikua vepra penale.
Limani akuzohej se në mars të 2023-ës, shkaktoi zjarr në shtëpinë e redaktorit të redaksisë hulumtuese të RTK-së, Alban Selimit.
Fillimisht, Limani ishte ngarkuar me veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mirëpo gjatë shpalljes së aktgjykimit, kjo vepër u ricilësua në “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.
Sipas Gjykatës, nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor është arritur të formësohet figura e veprës penale të “Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm”, marrë për bazë edhe faktin se Limani kishte lënë mesazhin “Mos ha m*t shumë”. Andaj, sipas gjykatës, fillimisht me këtë mesazh nuk është konsumuar vepra penale e vrasjes së rëndë në tentativë, pasi që si vepër qëllim ka vrasjen, e që nga mesazhi i lënë arrihet të vërtetohet se qëllimin i Limanit nuk ka qenë vrasja.
Sipas vendimit, kualifikimi juridik i bërë nga ana e organit të akuzës, nuk e detyron gjykatës që dënimin e të akuzuarit ta bëjë lidhur me atë kualifikim juridik, andaj edhe sipas gjykatës nga provat e prezantuara është formësuar vepra penale e “Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm”. Themelorja theksoi se një rikualfikim i tillë është bërë si rrjedhojë e analizës së plotë dhe të drejtë të provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor (Raporti analitik i video-incizimit, foto-dokumentacioni, CD, deklarata e dëshmitarëve A.S, V.M-S, dhe R.S).
Rikualifikimi nga vepra penale “Vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 173, par.1, pika1.5 lidhur me nenin 28 të KPRK-së, në veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, par.1 te KPRK-së, është rrjedhojë e një analize të plotë dhe të drejtë të provave të administruara në gjykim.
Sipas shkallës së parë, fakti se nuk ka ekzistuar qëllimi i vrasjes së të dëmtuarit Alban Selimi nga i akuzuari Limani, vërehet edhe nga rrethana që veprimi i Limanit është ndërmarrë kur i dëmtuari Selimi nuk ka qenë në shtëpi dhe se nëse do ekzistonte dashja për vrasje do të bënte kur Selimi do të ishte në shtëpi.
“Nëse i akuzuari kishte qëllim që të vriste të dëmtuarin do të kishte vepruar kur i dëmtuari do te ishte në shtëpi”, thuhet në vendim.
Gjithashtu, gjykata në vendimin e saj ka sqaruar se nga provat e administruara gjatë procesit gjyqësor nuk është arritur të provohet se cili ka qenë shkaku që ka mbetur vepra në tentativë, andaj edhe nuk formësohet vepra penale e vrasje së rëndë në tentativë.
“Po ashtu nga provat e administruara nuk u provua se cili ka qenë shkaku që ka mbetur në tentativë vepra penale Vrasje e rëndë nga neni 173 par.1 pika1.5 lidhur me nenin 28 të KPRK-së”, thuhet tutje në këtë vendim.
Ndërkaq, lidhur me vendimin mbi sanksionin penal, Themelorja ka sqaruar se për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” minimumi i dënimit varion nga gjashtë muaj e deri në 5 vite dhe se me shqiptimin e dënimit prej 4 vite burgim, gjykata është brenda kufijve ligjorë.
Si rrethanë rënduese, Gjykata në rastin konkret ndaj Limanit ka llogaritur shkallën e lartë të pjesëmarrjes së të akuzuarit, i vendosur për të kryer veprën penale, pasi që paraprakisht ka kryer parapërgatitjet duke marrë shishen me benzinë dhe faktin se ka qenë i dënuar edhe më parë. Kurse, si rrethanë lehtësuese ka gjetur se Limani ka shprehur pendim dhe keqardhje.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 18 gusht 2023, thuhet se më 16 mars 2023, në garazhin që është ngjitur me shtëpinë e tani të dëmtuarit Alban Selimi, në Fushë-Kosovë, i akuzuari Arsim Limani nga motive deri më tani të panjohura, ka tentuar që ta privojë nga jeta të njëjtin, i cili në ato momente nuk ishte në shtëpi, duke rrezikuar jetën e anëtarëve të tjerë të familjes, përkatësisht bashkëshortes së tij dhe dy fëmijëve. Këtë tentativë, i akuzuari thuhet se e ka bërë pasi është afruar tek dera e garazhit dhe aty ka hedhur një shishe benzinë të ndezur, ku flaka ka përfshinë garazhin, e nga temperatura e lartë është dëmtuar vetura e të dëmtuarve.























