Bislimi: Reforma e administratës publike, hap thelbësor drejt modernizimit
BKT
Lajme

Bislimi: Reforma e administratës publike, hap thelbësor drejt modernizimit

G.K/RTKlive

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, mori pjesë në prezantimin e qasjes së Qeverisë së Kosovës për Programin për Parandalimin dhe Zvogëlimin e Barrës Administrative 2025-2028. Ky program do të jetë një prej dokumenteve kryesore në zvogëlimin e barrës administrative, krahas Strategjisë për Qeverisje Elektronike 2023-2028.

Në fjalimin e tij, Bislimi theksoi se ky është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një administrate publike më efikase dhe në shërbim të qytetarëve.

“Si shtet, jemi duke kaluar një fazë dinamike të zhvillimit. Reforma e administratës publike përbën hap thelbësor drejt modernizimit dhe përmirësimit të qëndrueshëm ekonomik. Ajo që ne synojmë është ndërtimi i një administrate të përgjegjshme, transparente dhe me aftësi për të krijuar një mjedis të favorshëm për qytetarët dhe bizneset,” deklaroi Bislimi.

Ai gjithashtu theksoi se analizat vjetore tregojnë kursime të mëdha për qytetarët dhe bizneset, me rreth 3.5 milionë euro të kursyera brenda një viti, në nivel qendror dhe lokal.

Zëvendëskryeministri Bislimi falënderoi partnerët kryesorë, përfshirë qeverinë e Gjermanisë, qeverinë e Zvicrës dhe Bashkimin Evropian, si dhe stafin civil në nivel qendror dhe lokal për angazhimin dhe profesionalizmin e tyre.

Në përfundim, ai riafirmoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të avancuar këtë proces dhe për të arritur sukses të mëtejshëm në përmirësimin e administratës publike.

“Do të vazhdojmë të shtojmë intensitetin e këtij procesi dhe ta përfundojmë me sa më shumë sukses,” përfundoi Bislimi.


MË SHUME NGA Lajme