Kurti: Sulmet terroriste e kanë bërë çështje urgjente anëtarësimin në NATO
BKT
Foto|Elmina Osmani| RTK
Lajme

Kurti: Sulmet terroriste e kanë bërë çështje urgjente anëtarësimin në NATO

V.S| & V.Th| RTKlive

(E plotësuar, ora 12:30) Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nga Parlamenti i Kosovës në fjalën e tij drejtuar dy kuvendeve tha se agresioni i Rusisë në Ukrainë, rindezja e konflikteve në Lindjen e Mesme, sulmet terroriste ndaj Kosovës, ai në Banjskë e në kanalin e ujësjellësit në Ibër-Lepenc që e kanë bërë urgjente anëtarësimin në NATO.

“Sulmet terroriste ndaj Kosovës ai në Banjskë e ky i fundit në kanalin e ujësjellësit në Ibër-Lepenc që vijnë nga e njëjta adresë, nga Serbia, e nëse nuk është Serbia është edhe Serbia edhe Rusia bashkë, e kanë bërë këtë çështje urgjente, pra anëtarësimin në NATO”. Ai tha se si asnjëherë më parë kanës shtrirë sovranitetin në veri e sipas tij sulmet terroriste sporadike, të paramilitarëve të orkestruar e financuar nga Serbia, sipas tij janë shprehje e pafuqisë së tyre.

“Dikur nuk kanë bërë akte terroriste sepse e kishin krejt nën kontroll, tash që e kanë humbur kontrollin bëjnë akte terroriste, por ky është fundi i tyre. Aktet e tyre terroriste janë dëshpërimi i tyre, janë fundi i sundimit të tyre”, tha tutje ai.

Tutje kreu qeveritar tha se Kosova nuk ka qenë asnjëherë më e fortë ushtarakisht. Sipas tij, investimet në vitet 2021-2023 arritën mbi 239 milion euro nga 4 milion sa ishin në vitet 2018-2020.

“NATO është në Kosovë, Kosova nuk është ende në NATO, mirëpo Kosova po bën hapa gjigant drejt NATO-s. NATO-ja nuk ka armatim të vetin, e ka vetëm armatimin e shteteve anëtare. Për dallim nga viti 2018-2020 kur kishim më pak se 4 milion investim në armatim, në vitet 2021-2023 kemi mbi 239 milion euro investim në armatim e në municion. Pra, ne nuk duhet të anëtarësohemi në NATO pse nuk jemi mjaftueshëm të fortë, por do të anëtarësohemi sepse do të bëhemi gjithnjë e më të fortë dhe nga NATO të përfitojmë sepse do të kontribuojmë”, tha ai.

Tutje kryeministri foli edhe për arritjet e përbashkëta, tha se Shqipëria është ndër 5 vendet e para që ka vëllimet më mëdha të shkëmbimeve tregtare dhe partneri kryesor i Kosovës për vitin 2023 me vlerën 440 milion euro. Tha se janë të vetëdijshëm se nuk u lejohet mburrja dhe vetëkënaqësia për arritjet sepse tha se kanë shumë punë për të bërë jo vetëm për qytetarët që u takojnë të dyja shteteve, por për gjithë shqiptarët që jetojnë në shtetet fqinje. Ai tha se shqiptarët në Serbi janë komuniteti më i diskriminuar në Evropë.

“Shqiptarët në Serbi janë komuniteti etnik më i diskriminuar në Evropë. Prandaj ata meritojnë vëmendje më të madhe në bashkërendimin e politikave rajonale të Republikës së Shqipërisë e Republikës së Kosovës. Shqiptarët nuk kanë faj që janë autokton. Në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi ndarë si qeveri 4 milion për Luginën, uroj të shërbejë kjo si një shembull edhe për Shqipërinë”, tha tutje ai.

Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do t’i jep fund apetiteve të Serbisë

(E plotësuar, ora 12:00) Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, po mbajnë seancë të përbashkët.

Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani në fjalimin e saj në sesion e përbashkët parlamentar mes Kosovës e Shqipërisë tha se kjo seancë e duhet të shërbejë si një thirrje për veprim, një kujtesë se qëllimi i përbashkët kërkon ambicie edhe më të mëdha.

“Ne po jetojmë në një kohë të trazuar e cila kërkon bashkëpunim dhe qëllim. Për Kosovën dhe Shqipërinë kjo nuk është thjesht një zgjedhje, por një domosdoshmëri. Një Shqipëri e fortë do të thotë një Kosovë edhe më e fortë. Një Kosovë më e suksesshme e ngritë edhe më lartë Shqipërinë. Historia nuk do të na gjykojë me dashamirësi nëse nuk e shfrytëzojmë këtë moment për të ndërtuar unitetin dhe harmoninë e domosdoshme. Prosperiteti i Kosovës dhe Shqipërisë është detyrë që na përket të gjithëve, liderëve institucioneve dhe gjithsecilit qytetarë. Secili prej nesh duhet ta luaj rolin e tij në avancimin e vizionit të shteteve dhe qytetarëve tanë brenda familjeve e kombeve evropiane”, tha ajo.

Tutje shefja e shtetit tha se lidhja e thellë mes Kosovës e Shqipërisë është e rrënjosur një histori e sakrifica të panumërta.

"Kjo lidhje nuk është thjesht simbolike, është një themel i pathyeshëm mbi të cilin duhet të ndërtojmë bashkëpunim më të madh e koordinim më të shpeshtë. Shqipëria e Kosova nuk janë vetëm dy shteteve të pavarura, por janë dy pjesë të pandashme të një kombi të madh të bashkuar nga një histori e lavdishme dhe një të ardhme e ndritur”.

Osmani tha se aspirata e Kosovës për t’u anëtarësuar në BE nuk është vetëm qëllim politik, por pasqyrim i identitetit dhe vizionit të saj.

“Fatkeqësisht pengesat me të cilat Kosova përballët në këtë rrugëtim janë tejet të mëdha.

"Padrejtësitë ndaj popullit të Kosovës sa vijnë e rriten. Për t’i kaluar këto pengesa suksesshëm na duhet mbështetja e vazhdueshme e Shqipërisë. BE-ja do të jetë më e sigurt, më e qëndrueshme e më e plotë me shtete tona si pjesë e saj. Anëtarësimi i Kosovës në NATO do t’i jep përfundimisht fund apetiteve të Serbisë”, deklaroi Osmani.

Ajo foli për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës si dhe për tendencat, sipas saj, që në Maqedoninë e Veriut t’i largohen të drejtat e fituara të shqiptarëve.

“Shqiptarët në Preshevë, Medvexhë e Bujanoc i kanë sytë kah na. Atyre vazhdimisht i shkelen të drejtat në mënyrë flagrante. Derisa bota demokratike po i mbyllë sytë para këtyre shkeljeve ne duhet ta ngrisim zërin më shumë se kurrë më parë që të ndërpriten këto shkelje. Derisa po flasim dhe jemi bashkuar në këtë Kuvend, akoma ekzistojnë tendenca për të shkundur themelet mbi të cilat është ndërtuar Maqedonia e Veriut për të destabilizuar edhe këtë vend duke larguar të drejtat tashmë të fituara të shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet si popull konstituiv, ne nuk duhet të qëndrojmë të heshtur as t’i mbyllim sytë përballë këtyre tendencave”, tha Osmani.

Rama: Dekada e fundit vendimtare për Shqipërinë, rol përcaktues në rajon

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria është sot një anëtar aktiv dhe i respektuar në bashkësinë ndërkombëtare, duke luajtur po ashtu një rol të rëndësishëm e përcaktues në rajon.

“Ne tanimë nuk jemi figurantët e dikurshëm të fotografive familjare të bashkësisë ndërkombëtare, por jemi anëtar aktiv dhe të respektuar të saj me një rol sa të vetëdijshëm për përmasën dhe peshën modeste të vendit tonë në arenën e madhe të politikës europiane, aq edhe të rëndësishëm e përcaktues për rajonin tonë, i cili sot më shumë se asnjëherë tjetër ka një domethënie të posaçme për Europën e nesërme”, u shpreh Rama.Rama u shpreh se për Shqipërinë këto kanë qenë 10 vite të një kthese të madhe me sakrifica e mundime të mëdha. “Teksa një vit po ikën dhe një vit tjetër i ri po vjen, kanë kaluar pak më shumë se 10 vjet qysh se pata nderin e madh t’i adresohem kësaj salle nga kjo foltore si kryeministër i sapozgjedhur i Shqipërisë. 10 vite janë shumë pak në jetën e një kombi, por janë shumë në jetën e një individi, e gjithsesi kjo dekadë ka qenë vendimtare për ne në anën tjetër të bjeshkëve në Shqipëri. 10 vite të një kthese të madhe me sakrifica e mundime të mëdha ku nuk kanë munguar as dhimbjet e fatkeqësitë natyrore që nga përmbytjet deri edhe një tërmet shkatërrimtar e një pandemi globale”, tha Rama.

Spiropali: Jemi një gjak një histori dhe një kulturë

(E plotësuar, ora 11:40) Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, po mbajnë seancë të përbashkët.

Elisa Spiropali, Kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, tha se jemi një gjak një histori dhe një kulturë, emocion I thellë dhe kënaqësi e pafund sot në këtë mbledhje të përbashkët mes dy kuvendeve.

“Ne që po takohemi jemi pak, duhet të ishim me mijëra, duhet të takohemi të gjithë, aq sa shqiptarë ka bota me miliona. Të takohemi derisa toka të dridhet nën këmbët tona, derisa zoti të habitet, derisa Adem Jashari të lëviz nga varri, derisa bota ta mësojë se cilët jemi dhe se çfarë mundemi të bëjmë kur jemi bashkë”, tha ajo.

Spiropali shtoi se në këtë moment historik ku kemi mbërritur, si kurrë më parë shqiptarët po dëshmojnë vendosmëri të palëkundur në rrugëtimin e tyre në shndërrimin e shoqërisë në një shoqëri modern evropiane në thelb dhe në sjellje, euroatlantike në orientim dhe të drejtë në çdo aspekt.

"Kosova është prioritet kombëtarë i Shqipërisë dhe Shqipëria është prioritet kombëtarë i Kosovës. Suksesi i njërës republikë është kusht i parë dhe i domosdoshëm edhe për suksesin e republikës tjetër shqiptare, ritmi i njërës kushtëzon edhe ritmin e tjetrës”, tha ajo.

Sipas saj, jo rrallë Ballkani ka qenë truall i ankesës dhe popujt e Ballkanit e kanë traditë të hershme që t’i projektojnë dramat dhe pakënaqësitë diku gjetkë si për të gjetur ngushëllim për brengat që historia ka prodhuar pa fund në këtë pjesë të Evropës.

“Ne shqiptarët nuk bëjmë dallim, por askush nuk mund ta mohojë se në këtë moment historik ku kemi mbërritur si kurrë ndonjëherë më parë, shqiptarët kanë dëshmuar vendosmëri të palëkundur në rrugëtimin e tyre për shndërrimin e shoqërisë së vetë, në një shoqëri moderne, evropiane në thelb dhe në sjellje, euroatlantike në orientim dhe të drejtë në çdo aspekt”, theksoi më tej kryetarja e Kuvendit.

No description available.

Kusari –Lila: Gjykata Speciale është e padrejtë, VV-ja kundërshtoi themelimin qysh në vitin 2015

Shefja e deputetëve të Vetëvendosjes Mimoza Kusari Lila në fjalimin e saj i është përgjigjur kryeministrit shqiptar Edi Rama që foli për veprimet që mund t’i ndërmarr Kosova për të shprehur shqetësimin për standardet e procesit të gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Ajo tha se ishte Vetëvendosje që e kishte kundërshtuar themelimin e saj qysh në vitin 2015 që atëbotë, tha ajo, njëjtë ishte rekomandim i partnerëve ndërkombëtar, siç kanë vlerësim kritik edhe për propozimet aktuale për zgjidhje tjera një etnike në territorin e Kosovës.

“Po kryeministër, Gjykata Speciale është e padrejtë dhe në vitin 2015 GP i LVV-së jo vetëm që e kundërshtoi, por gjithashtu e dërgoi në Gjykatën kushtetuese se nuk mund të ketë një gjykatë e cila në mënyrë të njëanshme etnike gjykon luftën e UCK-së. Atëbotë njëjtë ishte rekomandim i partnerëve ndërkombëtarë se duhet të bëhet për të ardhmen e Kosovës. Me të njëjtin dyshim e vlerësim kritik kemi shikuar aktualisht propozimet për zgjidhje tjera një etnike në territorin e Kosovës për të parandaluar çfarëdo të keqe që pas 10 vitesh mund të minojë e cenojë sovranitetin, integritetin e funksionimin e shtetit tonë. Duke marr parasysh gjithë mbështetjen nga Shqipëria, të adresohet problemi aty ku e ka burimin në Këshillin e Evropës, në NATO, në Këshillin e Sigurimit, aty ku Shqipëria është anëtare e barabartë që po zhvillohet në gjykatë që padrejtësisht në baza etnike gjykon çlirimtarët dhe UÇK-në”, tha ajo.

Hoxhaj: Mirënjohës kryeministrit Rama për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së

Ndërkaq, nënkryetari i Kuvendit nga PDK-ja Enver Hoxhaj e ka falënderuar kryeministrin shqiptar Edi Rama për fjalimin e tij në Kuvend , por edhe për mbështetjen, siç tha ai, që ai u jep ish- drejtuesve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

“I jemi mirënjohës kryeministrit Rama edhe për atë se çfarë tha sot në Kuvend edhe çfarë bënë qeveria shqiptare në mbështetjen zyrtare, politike dhe publike të kauzës së drejtë të Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit e gjithë eprorëve të UÇK-së që padrejtësisht po mbahen në Hagë. Jemi të sigurt se ata do të kthehen edhe fitimtarë edhe faqebardhë. Për ne si deputet është e papranueshme përpjekja për ta rishkruar historinë duke e zëvendësuar viktimën me agresorin”, tha ai.

Hoxhaj ka falënderuar Shqipërinë për ndihmën e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës. “Shqipëria është binjaku identitarë edhe historik edhe demografik i Kosovës. Kudo që nuk ka pasur mundësi të flasë Kosova, ka qenë zëri i Shqipërisë e prania e Shqipërisë si përfaqësim i Kosovës”, tha ai.

Gashi: Duhet të bashkëpunojmë, të heqim inatin

Në emër të LDK-së foli Arben Gashi. Ai tha se duhet të bashkëpunojnë fuqishëm në fushën e sigurisë e mbrojtjes ushtarake. “Motra dhe vëllezër , po historinë e kemi bashkë, po kulturën e kemi bashkë, po gjuhën shqipe e kemi bashkë, po miqtë e kombit i kemi bashkë, po figurat kombëtare i kemi bashkë, krejt i kemi bashkë, në punë e angazhim duhet të jemi bashkë, veç nëse e heqim pak inatin. Pasi të gjitha na bashkojnë, le t’i bashkojmë të gjitha për punë e angazhim. Duhet bashkëpunuar praktikisht mes dy vendeve në fushën e sigurisë, mbrojtjes ushtarake, inteligjencës, mbrojtjes ajrore, trafikut ajror e mbi të gjitha indiustrisë ushtarake”, tha ai.

Haradinaj: Për të parën herë në këto 20 vjet na u sulmua një pjesë e vendit nga grupe terroriste

Në emër të AAK-së foli lideri Ramush Haradinaj që u shfaq kritik karshi qeverisë Kurti. “Ky takim i sotëm vërtetë është midis vëllezërve dhe motrave dhe në një takim të tillë nuk duhet të fshihet e vërteta. Situata e sigurisë në Kosovë është e brishtë dhe për të parën herë në këto 20 vjet na u sulmua një pjesë e vendit nga grupe terroriste e të armatosura me arsenal ushtarak. Hapat e gabuar e të pakoordinuar të Qeverisë së Kosovës me partnerët strategjik posaçërisht SHBA kanë bërë që Serbia nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare të shihet si viktime e Kosova, ta them më së buti , e papërgjegjshme dhe shtet jo serioz”, tha ai.

Nis seanca e përbashkët, Konjufca e quan historike| LIVE

Ka nisur seanca e përbashkët midis dy Kuvendeve nga Kosova e Shqipëria me intonimin e himnit shtetëror të Kosovës e atij kombëtarë. Në krye të sallës janë ulur të dy kryetarët Glauk Konjufca i Kosovës e Elisa Spiropali e Shqipërisë. E pranishme në sallë plenare është edhe presidentja e shtetit Vjosa Osmani si dhe dy kryeministrat Albin Kurti e Edi Rama.

Salla është mbushur përplot deputet të të dyja vendeve derisa në mesin e tyre shihet edhe deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca e quajti seancë historike këtë të sotmen meqë është e para që ndodhë në Republikën e Kosovës, që e quajti si bashkim mes Kuvendit të Kosovës e atij të Shqipërisë.

Kjo është seanca e fundit në mes këtyre legjislaturave meqë edhe Kosova edhe Shqipëria do të mbajnë zgjedhje të cilat do të sjellin përbërje të re të deputetëve në të dyja vendet.No description available.No description available.


MË SHUME NGA Lajme